Me ndryshimet ligjore të propozuara nga qeveria e Maqedonisë së Veriut që pritet të votohen nga Parlamenti pas zgjedhjeve lokale, TVSH-ja do të llogaritet edhe për porositë më të vogla nga jashtë vendit .Pra, do të shtrenjtohen dërgesa nën 22 euro, dhe atë më së shpeshti artikuj të vegjël të porositur nga platforma si AliExpress dhe Temu. Qëllimi sipas kompetentëve është “harmonizim me praktikat evropiane” dhe “luftë kundër abuzimeve”. Me fjalë tjera, ndryshimet në Ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, do të heqin përjashtimin nga TVSH-ja për porositë online deri në 22 euro. Llogaritë tregojnë se mbi 65 mijë euro në muaj do të grumbullohen nga tatimet e reja.
Sipas autoriteteve shtetërore, këto ndryshime do të kenë një efekt pozitiv në ekonominë vendase dhe në operacionet e kompanive vendas. Kjo do të thotë një rritje e çmimit të të gjitha produkteve që nuk tatimoheshin më parë. Për shembull, nëse një mbulesë telefoni në platformat Temu ose Aliexpress shitet për 8 euro, pas ndryshimeve do të paguani 9 euro e gjysmë. Një bluzë 20 euro do të kushtojë pothuajse 24 euro. Edhe pse ligji i propozuar është paraqitur tashmë në parlament, për shkak të procesit zgjedhor në vazhdim, amendamentet nuk janë vënë ende në rend të ditës. Sipas vlerësimeve, ligji mund të votohet gjatë nëntorit, dhe zbatimi i tij do të fillonte tetë ditë pas botimit në “Gazetën Zyrtare”. Amendamentet e propozuara parashikojnë një përjashtim nga pagesa e taksës mbi vlerën e shtuar për mallrat e dërguara si dërgesa të vogla me vlerë jo-komerciale, nga një individ tek një individ, vlera e të cilave nuk i kalon 22 euro, por përjashtimi nuk zbatohet për alkoolin dhe pijet alkoolike, parfumet dhe ujin e tualetit, si dhe duhanin dhe produktet e duhanit. Përjashtim parashikohet edhe për pasagjerët vendas që vijnë nga jashtë vendit, por për sendet e destinuara për nevojat e tyre personale ose për sende të tjera me vlerë të ulët përveç sendeve të bagazheve personale, të cilat i sjellin nga jashtë vendit dhe që nuk janë të natyrës tregtare.
Amendamentet e propozuara parashikojnë gjithashtu përjashtime për ilaçet që udhëtarët sjellin për përdorim personal ose i marrin në dërgesa nga jashtë vendit. Ndryshimet ligjore janë tashmë në procedurë parlamentare dhe zbatimi i tyre pritet të ketë efekte pozitive të drejtpërdrejta në ekonomi dhe në veprimtarinë e kompanive vendase, sipas një deklarate nga Ministria e Financave. “Me këtë masë, afërsisht 4 milionë denarë në muaj, që është shuma e xhiros në platformat e huaja online në periudha të caktuara, do të ridrejtohen në ekonominë vendase. Këto fonde do të kontribuojnë në zhvillimin e kompanive vendase, krijimin e vendeve të reja të punës dhe pagesën e pagave më të larta për punonjësit. Ky është një hap i rëndësishëm në mbrojtjen dhe mbështetjen e ekonomisë vendase, veçanërisht në kushte të globalizimit të rritur dhe tregtisë dixhitale”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Financave.
Për më tepër, ndryshimet do të ndihmojnë në uljen e ekonomisë në hije, duke pasur parasysh se sistemi i mëparshëm lejonte abuzime – përkatësisht importin e mallrave të përjashtuara nga taksat që më pas shiten në tregun vendas.
Me këtë amendament, shteti dërgon një sinjal të qartë mbështetjeje për kompanitë vendase që krijojnë vlerë të shtuar dhe punësojnë qytetarë në vend, thekson Ministria e Financave.
Nga Shoqata e Tregtisë Elektronike thonë se kjo zgjidhje e propozuar vjen pas ndryshimeve që BE-ja bëri disa vite më parë, por ata thonë se pyetja është se sa i përgatitur është sistemi ynë për ndryshime të tilla. “Unë besoj se nevojitet përgatitje serioze për një zgjidhje të tillë nga të gjithë operatorët, përkatësisht posta, posta ekspres, doganat. Në BE, ekziston një sistem ‘One stop shop’ ku taksa mblidhet nga shitësi. Blerësi nuk ka asnjë barrë administrative apo procedura për të mbajtur. Duke qenë se nuk jemi të përgatitur për një sistem të tillë, kjo do të thotë administrim dhe një barrë për blerësit të cilët do të dekurajoheshin nga kryerja e blerjeve online nga jashtë”, thekson Nina Angelovska Stankov, Presidente e Shoqatës së Tregtisë Elektronike
Këto ndryshime në rregullat e tregtisë elektronike vijnë në një kohë kur vlera e transaksioneve online është rritur jashtëzakonisht shumë. Të dhënat zyrtare nga Banka Kombëtare thonë se në gjashtë muajt e parë të këtij viti, u kryen transaksione online me vlerë 456 milionë euro, ose gati 35 për qind më shumë krahasuar me vitin e kaluar.
Përfaqësues të tjerë të biznesit vlerësojnë se kjo masë është një hap i vërtetë drejt një mjedisi konkurrues të drejtë. “Ne besojmë se kompanitë vendase janë vendosur në një pozicion të pabarabartë deri më tani, sepse platformat e mëdha online kanë shitur produkte pa taksa shtesë, gjë që ka shtrembëruar konkurrencën dhe ka inkurajuar konsumatorët të blejnë jashtë vendit. Shteti jo vetëm që po krijon kushte më të barabarta për të gjitha bizneset vendase, por po krijon edhe hapësirë për mbikëqyrje më të madhe të cilësisë dhe sigurisë së produkteve që shiten dhe dorëzohen”, tha Sasho Dukoski, President i Dhomës së Tregtisë.
LSDM doli kundër këtij propozimi. “Në vend që të mbrojnë interesat e njeriut të zakonshëm, të të rinjve dhe familjeve që porosisin lirë në internet, Mickoski dhe qeveria e tij kanë zgjedhur t’ua lehtësojnë edhe më shumë xhepat. Pse po u bien në xhepa qytetarëve dhe po u mohohet mundësia për të blerë më lirë në internet?”, thotë opozita.
Sipas dispozitave doganore të gjitha mallrat nga jashtë i nënshtrohen kontrollit doganor, pasi sipas rregulloreve të deritanishme , mallrat me vlerë deri në 22 euro në kundërvlerë në denarë ishin të liruar nga detyrimet e importit dhe TVSH-ja. Për mallrat mbi 22 euro deri në 90 euro në kundërvlerë në denarë paguhet vetëm TVSH, ndërsa mallrat me vlerë mbi 90 euro, i nënshtrohen procedurës së plotë doganore me pagesë të të gjitha detyrimeve të importit.
Të dhënat e fundit tregojnë se blerjet online po rriten me përmasa të mëdha. Vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti, u realizuan transaksione online me vlerë 456.3 milionë euro, një rritje prej 34.3 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Vlera mesatare e transaksioneve të totalit të transaksioneve online është 33.2 euro, pothuajse e njëjtë me vitin e kaluar. Qytetarët e Maqedonisë jashtë vendit kanë kryer transaksione online me vlerë prej 201.2 milionë euro, një rritje prej 55.1 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Temu, një dyqan online kinez i ngjashëm me AliExpress, i cili u themelua në korrik 2022, në vetëm pak muaj, kompania arriti të depërtojë masivisht në tregjet amerikane dhe evropiane dhe ka mbi 75 milionë përdorues mujor në BE. Së fundmi është zgjeruar edhe në tregjet e Ballkanit dhe në Maqedoni. Mbi dhjetëra mijëra dërgesa nga Temu u dërgohen çdo ditë konsumatorëve në Maqedoninë e Veriut.
Temu tërhoqi 115.7 milionë përdorues në të gjithë Bashkimin Evropian gjatë gjysmës së parë të vitit 2025. Aplikacioni kinez i blerjeve publikoi shifrat në raportin e tij të fundit të transparencës, duke treguar se sa shpejt është rritur që nga lancimi në Evropë dy vjet më parë. Shifrat mbulojnë periudhën nga janari deri në qershor 2025 dhe vijnë nga raporti i transparencës i Temu./Koha.mk