Sinjal i fuqishëm nga SHBA: Kosova, prioritet në politikën amerikane për Ballkanin – amendamenti i Mast sjell shpresë të re

Picture of INA
INA

22/09/2025

Kongresisti republikan amerikan, Brian Mast, ka paraqitur një amendament në Kongresin e SHBA-së që synon vendosjen e anëtarësimit të Kosovës në NATO si një nga prioritetet kryesore të politikës amerikane në Ballkanin Perëndimor.

Ky hap është konsideruar si një sinjal i qartë i mbështetjes amerikane për Kosovën dhe për forcojnë stabilitetin dhe sigurinë rajonale.

Amendamenti synon të rrisë presionin ndaj administratës amerikane për të pasur një angazhim më aktiv në Ballkan, duke përfshirë edhe vendet e tjera të rajonit, ndërsa përfshirja eksplicite e Kosovës tregon përkushtimin e SHBA-së për konsolidimin e shtetësisë dhe sigurisë së saj.

“Ndihmës Sekretari për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike do të zhvillojë një strategji për të rivendosur stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, e cila do t’i japë përparësi caktimit të ambasadorëve të Shteteve të Bashkuara në vendet e Ballkanit, duke përfshirë qeveritë e Malit të Zi, Kosovës dhe Bosnjës dhe Hercegovinës; do të përfshijë rekomandime politike në lidhje me mënyrën se si Shtetet e Bashkuara mund të mbështesin pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e ardhshëm në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO)”, thuhet në një pjesë të këtij amendamenti.

Aliçkaj: Amandament i shpresës dhe i përkrahjes amerikanë për Kosovën

Veprimtari Agim Aliçkaj, vlerëson se amendamenti i kongresmenit Brian Mast për Kosovën konfirmon dy gjëra: Marrëdhëniet Kosovë–SHBA nuk cënohen nga deklarata të veçuara dhe lobimi i vazhdueshëm në Amerikë është thelbësor për mbështetjen shtetformuese.

Ai thekson se politika amerikane ndaj Kosovës ndërtohet përmes bashkëpunimit mes administratës dhe Kongresit, në përputhje me interesat strategjike afatgjata të SHBA-së.

“Prezantimi i amendamentit në mbështetje të Kosovës nga Kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, Brian Mast, konfirmon dy gjëra shumë të rëndësishme.

Hidhet poshtë histeria e armiqve të Kosovës, kundërshtarëve politikë të qeverisë në detyrë të KM Kurtit dhe opinionistëve të shitur se me një deklaratë të pafavorshme nga Ambasada apo ndonjë zyrtar amerikan, prishen marrëdhëniet midis Kosovës dhe Amerikës.

Theksohet rëndësia e aktivitetit të përhershëm të lobimit në Amerikë për të siguruar mbështetje për ndërtimin dhe zhvillimin e shtetit, në këtë rast rezultat i punës me përkushtim të shoqatës “Albanians for America” në bashkëpunim edhe me kongresmenin e mirënjohur, mikun e shqiptarëve, Keith Self.

Interesat strategjike amerikane sajohen nëpërmjet bashkëpunimit midis Administratës aktuale dhe Kongresit të SHBA-së. Ky është një proces i vazhdueshëm që mund ta ndryshojë politikën amerikane ngadalë në varësi të interesave afatgjata të vendit, pas analizave të gjera nga ekspertët dhe zyrtarët e zgjedhur. Administrata amerikane ka hapësirë për ndryshime taktike që megjithatë synojnë të përshtaten me ato strategjike”, thotë ai.

Ai thekson se amendamenti i Brian Mast tregon që marrëdhëniet Kosovë–SHBA mbeten të forta dhe se lobimi i vazhdueshëm në Amerikë është vendimtar për mbështetjen e Kosovës, në përputhje me interesat strategjike afatgjata të SHBA-së.

“Paraqitja e këtij amendamenti në Kongres u dërgon një mesazh të qartë pesë shteteve evropiane që ende nuk e njohin Kosovën se Amerika nuk ka hequr dorë nga Kosova dhe se vonesa e tyre e paarsyeshme në njohjen e saj nuk do ta ndryshojë realitetin se Kosova është një shtet përjetësisht i pavarur.

Ky amendament, nëse miratohet nga Kongresi Amerikan, do t’i jepte një goditje të rëndë ëndrrave të kota të Serbisë dhe miqve të saj për t’u kthyer në Kosovë. Edhe nëse nuk miratohet, do të ketë rëndësi të madhe në dekurajimin e armiqve të Kosovës. Ky është amandamenti i shpresës dhe përkrahjes amerikane.

Nuk ka dyshim se Amerika është drita dhe shpresa e Kosovës dhe e gjithë kombit shqiptar. Fuqia dhe rëndësia e Amerikës janë të qarta. Por, si një vend i të gjithëve, edhe armiqtë tanë mund të depërtojnë këtu. Për t’i bllokuar ata, ne duhet të punojmë me Amerikën në mënyrë të përhershme.

Për gati katër dekada bashkëpunimi intensiv me Amerikën, Kosova ka pasur mbështetje të jashtëzakonshme, por edhe probleme, veçanërisht me degën ekzekutive, me disa zyrtarë të administratave të ndryshme. Disa të ndikuar nga Serbia, të tjerë për interesa gjeo-politike të shkëputjes së Serbisë nga Rusia, ato taktike të ruajtjes së paqes relative në Ballkan ose lënies së përgjegjësisë në kompetencat e Evropës”, shprehet ai.

ImageVeprimtari Agim AliçkajFoto galeri
Në fund, ai thotë se veprimtaria lobiste e Kosovës në Kongresin amerikan, veçanërisht përmes LQSHA, ka ndihmuar kapërcimin e qëndrimeve negative të disa diplomatëve në Beograd, duke shtuar se qëndrimet e kundërta duhet të shprehen me fakte dhe respekt, ndërsa amendamenti i fundit tregon se Kosova shihet si faktor i rëndësishëm për paqen dhe sigurinë në Ballkan, me interesat strategjike të përputhura me SHBA-në.

“Është interesante që shumë ambasadorë amerikanë që kanë shërbyer në Beograd kanë mbajtur anën e Serbisë, si Zimmerman, Eagleburger, Montgomery, Hill etj. Serbia gjithmonë ka gjetur një mënyrë për të përvetësuar diplomatët e huaj në mënyra të ndryshme.

Megjithatë, Kosova gjithmonë ka gjetur një mënyrë për të kapërcyer problemet me diplomatët e padrejtë amerikanë.

Veprimtaria lobiste nëpërmjet Kongresit amerikan e ka ndihmuar shumë situatën. Për këtë, me dekada, është dalluar LQSHA

në krye me Joe Dioguardin dhe Shirley Cloyes DioGuardin.

Qëndrimet e kundërta duhet të argumentohen me fakte nga liderët e Kosovës. Mospajtimet duhet të shprehen pa frikë, me respekt dhe në takime të mbyllura.

Kjo është e vetmja mënyrë për të shpëtuar dhe ndërtuar shtetin e Kosovës. Në fund të fundit, Amerika aspiron dhe anon nga drejtësia. Kosova është një shtet i suksesshëm i krijuar nga Amerika. Ky amendament është sinjal i qartë se Kosova shihet si faktor i rëndësishëm për paqen dhe sigurinë në Ballkan. Interesat tona strategjike përputhen me ato të Amerikës”, përfundon ai.

Krasniqi: Ky veprim tregon se Ballkani mbetet një hapësirë me interes strategjik për politikën e jashtme amerikane

Profesori Kolë Krasniqi, në një përgjigje për “Bota sot”, vlerëson se amendamenti i kongresmenit amerikan Brian Mast, që kërkon angazhim më të madh të SHBA-ve në Ballkan dhe integrimin e Kosovës në NATO, ka disa dimensione të rëndësishme: tregon interesin strategjik amerikan për rajonin përballë ndikimit rus e kinez; dërgon mesazh për BE-në e NATO-n për ritëm më të shpejtë integrimi; vendos Kosovën në qendër të vëmendjes duke konsoliduar shtetësinë e saj; dhe nëse miratohet, do të rrisë presionin mbi administratën amerikane për politikë më aktive në Ballkan.

“Paraqitja e amendamentit nga kongresmeni amerikan Brian Mast, i cili kërkon angazhim të shtuar të SHBA-ve në Ballkan dhe integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën, në NATO, paraqet disa dimensione me rëndësi:

1. Dimensioni strategjik i SHBA-ve

Ky veprim tregon se Ballkani mbetet një hapësirë me interes strategjik për politikën e jashtme amerikane. Pavarësisht se vëmendja e Uashingtonit është e përqendruar në Lindjen e Mesme, Ukrainë dhe Indo-Paqësor, Ballkani shihet si zonë ku mund të shfaqen rreziqe të destabilitetit, veçanërisht për shkak të ndikimit rus dhe kinez. Kërkesa për përfshirjen e vendeve të rajonit në NATO synon të forcojë arkitekturën e sigurisë euroatlantike.

2. Mesazh për BE-në dhe NATO-n

Iniciativa e Mast është edhe një sinjal ndaj aleatëve evropianë se SHBA kërkon një ritëm më të shpejtë të integrimit të rajonit. Në një kohë kur procesi i anëtarësimit në BE për vendet e Ballkanit është i ngadalshëm, NATO shihet si mjet më i shpejtë për garantimin e stabilitetit.

3. Kosova në qendër të vëmendjes

Përfshirja eksplicite e Kosovës në këtë propozim është veçanërisht e rëndësishme. Ajo reflekton një qasje më të qartë të disa qarqeve amerikane për ta konsoliduar shtetësinë dhe sigurinë e Kosovës, duke e futur brenda strukturave të mbrojtjes kolektive. Kjo gjithashtu është një kundërpeshë ndaj përpjekjeve të Serbisë për tu rikthyer në Kosovë nëpërmjet përkrahjes – kryesisht nga Moska dhe Pekini.

4. Implikimet politike. Nëse ky amendament gjen përkrahje më të gjerë në Kongres, do të rrisë presionin mbi administratën Trump (dhe çdo administratë pas saj) për të pasur një politikë më aktive në Ballkanin Perëndimorë dhe do të forcojë pozicionin ndërkombëtar të Kosovës si dhe do të rrisë rolin e saj si faktor i sigurisë rajonale”, shpjegon profesor Krasniqi.

ImageProfesori Kolë KrasniqiFoto galeri
Tutje, thekson se, ndonëse amendamenti i Brian Mast për Kosovën në NATO është mbështetje e fortë nga SHBA, ai përballet me pengesa nga disa vende të NATO-s që nuk e njohin Kosovën.

Sipas tij, kjo nismë është sinjal i rëndësishëm politik e strategjik, por kërkon tejkalimin e sfidave diplomatike në Evropë.

“Megjithatë, pritet edhe kundërshtim, sidomos nga vende anëtare të NATO-s që ende nuk e kanë njohur Kosovën (si Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania). Kjo tregon se rruga për anëtarësim real nuk është vetëm çështje amerikane, por edhe evropiane.

Amendamenti i Brian Mast është politikisht domethënës, sepse rikthen në agjendën amerikane Ballkanin Perëndimor si prioritet sigurie. Për Kosovën, ky është një sinjal i fuqishëm mbështetjeje, por i shoqëruar me sfida diplomatike për shkak të mosnjohjeve brenda NATO-s. Nëse do të materializohej, do të shënonte një pikë kthese në konsolidimin e arkitekturës së sigurisë në rajon” – përmbyll ai.

TË FUNDIT

MMJPH: Koncentrimet e PM10 janë brenda kufijve të lejuar në Trubarevë

Vdekja e 7-vjeçares në Spitalin e Tetovë, Elezi: Paraprakisht ka pranuar terapi intravenoze te mjeku amë, që është e jashtëligjshme!

Eksperti psikiatrik Haxhibeqiri: Naim Murseli nuk ka çrregullim mendor

VLEN: Koalicioni me shirit ngjitës Taravari–Sela–Ahmeti është mashtrimi më i madh politik

SHBA-ja thotë se njohja e shtetit palestinez nga aleatët kryesorë është ‘performuese’

Ndërron jetë një 7-vjeçare në Spitalin e Tetovës, Azir Aliu: Janë ndërmarrë të gjitha masat për zbardhjen e rrethanave

ME TE LEXUARA

1
MMJPH: Koncentrimet e PM10 janë brenda kufijve të lejuar në Trubarevë
1
Vdekja e 7-vjeçares në Spitalin e Tetovë, Elezi: Paraprakisht ka pranuar terapi intravenoze te mjeku amë, që është e jashtëligjshme!
1
Eksperti psikiatrik Haxhibeqiri: Naim Murseli nuk ka çrregullim mendor
1
VLEN: Koalicioni me shirit ngjitës Taravari–Sela–Ahmeti është mashtrimi më i madh politik
1
SHBA-ja thotë se njohja e shtetit palestinez nga aleatët kryesorë është ‘performuese’

LEXO MË SHUMË

MMJPH: Koncentrimet e PM10 janë brenda kufijve të lejuar në Trubarevë

Vdekja e 7-vjeçares në Spitalin e Tetovë, Elezi: Paraprakisht ka pranuar terapi intravenoze te mjeku amë, që është e jashtëligjshme!

Eksperti psikiatrik Haxhibeqiri: Naim Murseli nuk ka çrregullim mendor

VLEN: Koalicioni me shirit ngjitës Taravari–Sela–Ahmeti është mashtrimi më i madh politik

SHBA-ja thotë se njohja e shtetit palestinez nga aleatët kryesorë është ‘performuese’

Ndërron jetë një 7-vjeçare në Spitalin e Tetovës, Azir Aliu: Janë ndërmarrë të gjitha masat për zbardhjen e rrethanave