Për të dytën ditë radhazi në Trubarevë u zhvillua skrinimi i qytetarëve për probleme të mundshme me organet e frymëmarrjes. Ndryshe nga një ditë më parë, radhët e pritjes sot ishin më të vogla, ndërsa mjekët thanë se dje kanë trajtuar raste më serioze, të cilët menjëherë i kanë dërguar në Klinikën e Pulmologjisë. Ndërsa për pacientët të cilët kanë simptoma më të lehta, ju rekomandojnë ushqim më të pasur me vitamina, të evitojnë daljet jashtë pa nevojë, ose të mbajnë maska gjatë ekspozimit në ambiente të hapura.
“Pacientët e parë që u paraqitën këtu, se kanë probleme, kanë simptoma kanë vështirësi dhe ato në mënyrë urgjente i dërguam në Klinikën e Pulmologjisë e cila është e zotuar ti pranoje dhe ti proceduroje me diagnostikat e mëtejshme sikurse si është spirometria, rengeni, analizat gazore… Dje kemi dërguar pesë pacientë të cilët kishin nevojë për diagnostifikim të mëtutjeshëm përderisa sot ishin vetëm dy pacientë të cilët më e kanë sëmundjen obstruktive kronike”, deklaroi : Sead Zejnel, pulmolog.
Qytetarët pas kontrolleve të kryera shpreheshin se ndjehen mirë, dhe sipas mjekëve nuk kanë probleme shëndetësore.
“Si t’ju them më së miri, super, edhe zemra edhe tensioni deri më tani janë mirë dhe nuk kam asnjë vështirësi. Unë jetoj atje në fund të bllokut, por thash të kontrollohem si të gjithë edhe unë”, tha një qytetar.
“Më thanë se jam mirë, më tutje nuk e di se çfarë do të ndodhë. Sikurse për të gjithë ashtu edhe për ne”, u shpreh një tjetër qytetar.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë informoi se në ditën e parë të skrinimit janë kontrolluar gjithsej 111 persona në dy pika, 56 persona në pikën e parë dhe 55 persona në pikën e dytë. Gjendja shëndetësore e pacientëve është përgjithësisht e mirë, por tek 11 persona është konstatuar prania e irritimeve dhe shqetësimeve në fyt, për çka ata janë dërguar për ekzaminime shtesë në Klinikën e Pulmologjisë. Skrinimi përfshin kontroll klinik, matje të pulsit, saturimit dhe vlerësim të kapacitetit vital. /Alsat.mk