AKI ka marrë 23 mijë më shumë se VLEN-i Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe ka deklaruar se në zgjedhjet e fundit në Maqedoni po paraqiten dy gjykime të kundërta, gjë që, sipas tij, është e pamundur.
“E vërteta është një – dhe ajo përcaktohet nga numrat. Fituesi në zgjedhje përcaktohet në bazë të votave për listat e këshilltarëve, sepse aty shihet mbështetja reale e partive apo koalicioneve,” tha Snopçe në një intervistë për “Ora News”.
Ai shtoi se, sipas këtij kriteri, Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) ka marrë 23 mijë vota më shumë se VLEN-i, gjë që, siç theksoi ai, “është e vërteta e padiskutueshme”.
Snopçe poashtu tha se mospastrimi i listave zgjedhore shkaktoi dështimin e censusit në disa komuna shqiptare.
Deputeti Halil Snopçe ka theksuar se mosarritja e censusit në Komunat Gostivar, Vrapçisht dhe Mavrovë-Rostushë është rezultat i “inxhinieringut zgjedhor” për shkak të mospastrimit të listave zgjedhore.
“Sot kemi qindra, ndoshta mijëra persona të vdekur që ende figurojnë në lista. Në çdo komunë me shumicë maqedonase numri i votuesve është zvogëluar, ndërsa në Gostivar është rritur për 4 mijë në krahasim me vitin 2021”, deklaroi Snopçe.
Snopçe i bëri thirrje kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, që përsëritja e zgjedhjeve në Gostivar dhe Vrapçisht të caktohet në periudhën kur janë mërgimtarët në vend.
“Pas certifikimit të rezultateve nga KSHZ, fillon afati 60-ditor për përsëritjen e zgjedhjeve. Është momenti që mërgata shqiptare të ketë mundësi të votojë dhe të tregojë peshën e saj. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë edhe kryetari Gashi do të konsiderohet si mashë e dikujt tjetër”, theksoi Snopçe.