Sot shënohen 27 vjet nga rënia heroike e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fehmi Lladrovci, dhe bashkëshortes së tij, Xhevë Krasniqi-Lladrovci, të cilët ranë më 22 shtator 1998 në betejë me forcat serbe në Çiçavicë.
Çifti Lladrovci janë ndër figurat më emblematike të luftës për liri, të cilët, me qëndresën e tyre, u kthyen në simbole të sakrificës dhe vendosmërisë së popullit të Kosovës. Në betejën e ashpër, përveç Fehmiut dhe Xhevës, ra edhe studentja Fatime Hetemi dhe shumë luftëtarë të tjerë të UÇK-së.
Fehmi Lladrovci ishte komandant i Brigadës 114 të UÇK-së, e cila më vonë do të mbante emrin e tij. Xhevë Lladrovci, ndër luftëtaret e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte një ndër gratë e rralla që arriti gradën gjeneral-major brenda strukturave të UÇK-së.
Për veprën dhe kontributin e tyre, në qytetin e Drenasit janë vendosur shtatoret e Fehmiut dhe Xhevës, si përkujtim për gjeneratat e sotme dhe të ardhshme.
Heroizmi dhe sakrifica e çiftit Lladrovci vazhdojnë të kujtohen çdo vit, duke mbetur një faqe e ndritur në historinë e luftës për lirinë e Kosovës.