Një muaj paraburgim është caktuar për Fatmir Shehollin, i dyshuar për spiunazh kundër shtetit.
Gjykata Themelore në Prishtinë, ka mbajtur të premten seancën dëgjimore ndaj Shehollit pasi paraprakisht Prokuroria Speciale e Kosovës kërkoi që ai të dërgohet në paraburgim derisa autoritetet të kryejnë hetime ndaj tij.
Sheholli u arrestua të enjten në rrethin e Prishtinës pas hetimeve disamujore kundër tij.
Për arrestimin e tij, ka njoftuar fillimisht ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, i cili veprën e spiunazhit e konsideroi një nga aktet më të rënda ndaj sigurisë dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
Sipas Sveçlës, koha e spiunëve të Serbisë në Kosovë ka përfunduar dhe kushdo që punon për Serbinë e kundër Kosovës do të ndiqet pa kompromis e pandalshëm.
“Policia e Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me AKI-në dhe prokurorinë ka arrestuar sot Fatmir Shehollin, me dyshimet e bazuara për përfshirje në spiunazh.
Pres trajtim institucional me seriozitet të lartë të këtij rasti, i cili përbën një nga aktet më të rënda ndaj sigurisë dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
Individë si ky që kanë pasur hapësira mediatike të pakufizuara në vendin tonë ka bashkëpunuar me akterë që çdo ditë punojnë e veprojnë për të minuar Republikën tonë dhe progresin e saj.
Mbesim të përkushtuar të mbrojmë vendin tonë nga të gjitha qarqet që nuk hezitojnë ta rrezikojnë atë për çfarëdo përfitimi të tyre. Koha e spiunëve të Serbisë në Kosovë ka përfunduar. Kushdo që punon për Serbinë e kundër Kosovës do të ndiqet pa kompromis e pandalshëm. Republika duhet mbrojtur me përgjegjësinë më të lartë institucionale dhe morale.”, ka shkruar Sveçla.
Të enjten, Policia e Kosovës kishte kryer bastisje në vendbanimit të të dyshuarit për të sekuestruar prova materiale, ndërsa Sheholli nuk është i pari për këtë vit që u arrestua nën dyshim për veprën e spiunazhit.
Në përgjithësi, gjatë qeverisjes së fundit të Qeverisë Kurti, rastet e spiunazhit kanë qenë jo të pakta në numër, madje analistët thonë se nëse nuk do të ishte qeveria Kurti me shumë gjasë këta individë nuk do të zbuloheshin.
Serioziteti i institucioneve dhe krahasimi me qeveritë e kaluara
Analisti Faton Mehmeti, thotë se me rastin e Shehollit me të drejtë mund të thuhet se gjatë qeverisjes Kurti ka pasur më shumë raste të zbuluara dhe të publikuara të dyshimeve për spiunazh.
Sipas tij, kjo nuk domethënë se më herët nuk ka pasur spiunë, por tani institucionet e sigurisë kanë më shumë pavarësi dhe vullnet për të vepruar pa ndërhyrje politike.
“Arrestimi i Fatmir Shehollit nën dyshimet për spiunazh ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës është një tjetër rast që e vë në pah seriozitetin me të cilin institucionet e sigurisë po e trajtojnë këtë dukuri në vitet e fundit. Me këtë rast, shtohet lista e individëve që janë ndaluar apo hetuar për bashkëpunim me shërbime të huaja, veçanërisht serbe.Në krahasim me qeveritë e mëhershme, është e drejtë të thuhet se gjatë qeverisjes Kurti ka pasur më shumë raste të zbuluara dhe të publikuara të dyshimeve për spiunazh. Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se më parë nuk ka pasur spiunë por se tani, për herë të parë, duket se institucionet e sigurisë kanë më shumë autonomi dhe vullnet për të vepruar pa ndërhyrje politike”, deklaron Mehmeti.
Sipas tij, duke parë përvojën e qeverive të kaluara, ku shpesh çështje të tilla fshiheshin për “stabilitetin politik” apo “raporte ndërkombëtare”, mund të thuhet me bindje se shumica e këtyre arrestimeve nuk do të ndodhnin pa një qeveri si Kurti.
“Prandaj, kjo qeveri mund të cilësohet si ajo që ka pasur më shumë gatishmëri për të prekur tema të ndjeshme të sigurisë kombëtare, përfshirë edhe spiunazhin, një fushë që shpesh është heshtur në të kaluarën për shkak të lidhjeve politike e partiake të individëve të përfshirë.Kjo është pyetje hipotetike, por me bazë reale. Duke parë përvojën e qeverive të kaluara, ku shpesh çështje të tilla fshiheshin për “stabilitet politik” apo “raporte ndërkombëtare”, mund të thuhet me bindje të arsyeshme se jo, shumica e këtyre arrestimeve nuk do të ndodhnin pa një qeveri si Kurti, e cila ka ndërtuar narrativën e saj politike mbi luftën kundër korrupsionit, ndikimit të Serbisë dhe depolitizimit të shërbimeve të sigurisë. Kjo qasje, pavarësisht kritikave, ka bërë që disa struktura të ndihen të ekspozuara për herë të parë. Fakti që opozita pothuajse nuk ka reaguar ndaj arrestimeve të tilla është domethënës”, shprehet analisti.