Kandidati i pavarur për kryetar të komunës së Kumanovës, Goran Stojkovski Diro po kërkon mbështetjen e të gjithë banorëve të Kumanovës, të gjithë atyre që besojnë se qyteti mund t’i bëjë gjërat ndryshe, që duan ta shohin Kumanovën të zhvilluar, që kërkojnë kushte më të mira jetese.
“Unë i bëj thirrje të gjithë qytetarëve pa dallime etnike, duke përfshirë këtu edhe bashkëqytetarët e mi shqiptarë, sepse qasja ime bazohet mbi konceptin ‘një shoqëri për të gjithë’. Kurrë s’kam bërë dallime dhe nuk bëj me njerëzit që më rrethojnë në Kumanovën time. Bile dua të theksoj se gati se disa vite unë jam ndjekës i rregullt i ndeshjeve të klubit tim të qytetit KF Bashkimi dhe se si në ligën e dytë ashtu tani edhe në ligën e parë, shkoj në stadium”, thekson Goran Stojkovski – Diro.
Ai mohoi çdo lidhje se pas tij qëndron dikush, duke shtuar se nuk ka asnjë edhe ndonjë “mafie urbane” pas tij.
“Kam një program solid dhe të arsyeshëm për zhvillimin e Kumanovës, për përkujdesje të barabartë të çdo lagjeje dhe vendbanimi, sepse në çdo cep kam dëgjuar hallet dhe kërkesat e qytetarëve. Jam i sigurt se ka mjaftueshëm njerëz të zgjuar, të mirë në Kumanovë që do të më mbështesin dhe do të bëjnë ndryshimin më 2 nëntor. Kumanovën do t’ia kthejmë qytetarëve, një komunë funksionale dhe që kërkon zhvillim”, theksoi Stojkovski. Sipas tij, Kumanova shihet që ka ngelur një qytet i pazhvilluar, me infrastrukturë të arnuar dhe se qytetarët si taksapagues nuk e meritojnë këtë që po ndodhë.
Ai thekson se fokusi do të jetë edhe në zhvillim dhe përkrahjen e sportit, aktiviteteve arsimore dhe kulturore, gjithmonë në frymën e multietnicitetit. (INA)
 
								 
													 
				 
													 
													 
													 
													 
													 
													