Shënjestër e sulmit duket se ka qenë një ofrues amerikan i sistemeve për regjistrim dhe imbarkim në avion. Meqenëse sistemet e tij përdoren në disa aeroporte, ka pasur fluturime të anuluara dhe vonesa në disa vende.
Një sulm kibernetik ka shkaktuar vonesa në aeroportin e Berlinit BER dhe në aeroporte të tjera evropiane. Ofruesi i sistemeve për përpunimin e pasagjerëve ajrorë u sulmua të premten në mbrëmje, njoftoi aeroporti BER. Për shkak të kësaj, lidhjet me sistemet u ndërprenë dhe pasagjerët po përballen me vonesa të fluturimeve që nga mëngjesi.
Në faqen zyrtare të aeroportit të Berlinit shkruhet: “Për shkak të një problemi teknik tek një ofrues sistemesh që përdoret në të gjithë Evropën, priten kohë më të gjata pritjeje gjatë regjistrimit. Po punojmë për një zgjidhje teknike.” Sipas aeroporteve BER dhe Londër-Heathrow, kompania e prekur është ajo amerikane Collins Aerospace.
Kompania amerikane e konfirmoi për agjencinë gjermane të lajmeve DPA se bëhej fjalë për një “sulm kibernetik që shkaktoi probleme” në disa aeroporte. Ajo theksoi se po punon për “zgjidhjen e problemit dhe rikthimin e shpejtë të funksionalitetit të plotë për klientët tanë”.
Regjistrimi i pasagjerëve me metoda manuale
Pasojat janë të kufizuara tek regjistrimi elektronik dhe dorëzimi i bagazheve, të cilat “mund të zbuten me regjistrim manual”, theksoi Collins Aerospace. Përveç prodhimit të komponentëve për industrinë ajrore, kompania, që është pjesë e korporatës RTX, zhvillon edhe sisteme për përdorim ushtarak dhe është aktive në teknologjinë hapësinore.
Aeroporti i kryeqytetit gjerman, për shkak të problemit, u kthye te metodat e vjetra. “Aktualisht po përpiqemi të punojmë me lista në letër dhe shënime me laps”, deklaroi një zëdhënës. Kjo bën që gjithçka të zgjasë më shumë. Nuk mund të parashikohet sa kohë do të zgjasin kufizimet e operacioneve. Megjithatë, regjistrimi online funksionon. Po ashtu, u bë e ditur: “Vetë aeroporti nuk ishte objektiv i sulmit kibernetik dhe është vetëm i prekur indirekt.” Përkundër kësaj, është ngritur një shtab krize.
Meqenëse sistemet e Collins përdoren në të gjithë Evropën, janë prekur edhe qendra të tjera ajrore – këtë e kanë konfirmuar aeroportet në Bruksel (Belgjikë) dhe Londër-Heathrow (Britani e Madhe). Ndërsa në Bruksel u fol qartë për një “sulm kibernetik”, vonesat në Londër u arsyetuan me “problem teknik” tek Collins Aerospace. Nga ana tjetër, aeroportet gjermane si Frankfurt mbi Majnë, Mynih, Hamburg, Hanover, Dresden, Lajpcig/Halle, Dyseldorf, Bremen dhe Këln nuk raportuan asnjë problem./DW