Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka reaguar pas përfundimit të procesit zgjedhor, duke falënderuar qytetarët për mbështetjen dhe duke vlerësuar rezultatet e arritura nga kandidatët e kësaj partie në disa komuna të vendit.
“Të dashur qytetarë, këto kanë qenë orë të jashtëzakonshme. Duke ju falënderuar për votën tuaj jam i gëzuar të ndaj me ju lajmin se Valbon Limani dhe Isen Shabani kanë arritur rezultate rekord, të cilat do të certifikohen në raundin e dytë sepse për fare pak nuk e kanë plotësuar censusin,” ka shkruar Taravari.
Ai ka theksuar se kandidati Blerant Ramadani ka humbur “me një diferencë shumë të vogël”, ndërsa kandidatin Nazim Taipi e ka cilësuar “një vlerë të shtuar në forcën politike”, pavarësisht humbjes në Tearcë.
“Uroj të gjithë fituesit e këtyre zgjedhjeve pa përjashtim, dhe suksese atyre që ende vazhdojnë garën,” ka shtuar Taravari.
Në fund, ai ka theksuar se Gostivari tashmë është baza e re e opozitës shqiptare, që sipas tij “do të sjellë risi në të gjithë dinamikën politike”. (INA)