Në hapjen solemne të shtabit rinor të koalicionit Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) në qytetin e Gostivarit, një nga liderët e këtij koalicioni dhe njëherazi kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka reaguar ndaj spekulimeve për qëndrueshmërinë e AKI-së, duke theksuar se ky bashkim politik është një domosdoshmëri e kohës dhe do të vazhdojë të ekzistojë deri në integrimin e plotë të Maqedonisë në Bashkimin Evropian.
“Aleanca Kombëtare për Integrim nuk është një parti, sikur ata që thonë se ne jemi VLEN dhe një parti, por assesi të bëhen bashkë. Vazhdimisht VLEN coptohet dhe ndahet edhe më shumë. Unë e them me shumë përgjegjësi sepse Aleanca Kombëtare për Integrim është imperativ i kohës, një domosdoshmëri që të gjithë shqiptarët që kanë pak ndërgjegje bëhen bashkë,” – deklaroi Taravari.
Ai theksoi se ndryshe nga struktura e përçarë e partnerëve shqiptarë në Qeveri, AKI mbetet një koalicion kompakt dhe me vizion të qartë për të ardhmen evropiane të vendit.
“Ne jemi bashkë dhe do të jemi bashkë derisa Maqedonia të fillojë negociatat me Bashkimin Evropian dhe të hyjmë në një fazë të thellë të negociatave – për të mos thënë deri në përfundimin e tyre,” – u shpreh Taravari.
Deklarata e tij vjen në një kohë kur tensionet dhe dallimet brenda koalicionit qeveritar VLEN janë bërë gjithnjë e më të dukshme.