Nëse popullsia e përgjithshme e botës vazhdon të rritet me një normë mesatare prej 1 për qind, disa vende po tkurren në formën më drastike çdo vit. Mes tyre Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Banka Botërore e rendit Maqedoninë të pestën mes 10 vendeve në botë që po përjetojnë tkurrjen më të madhe të popullsisë. Sipas të dhënave të Bankës Botërore për vitin 2024, numri i përgjithshëm i popullsisë së vendit u zvogëlua me -1. 97 për qind. Si pasojë e emigracionit dhe të normave të ulëta të lindshmërisë. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, 42 vende dhe territore po tkurren, ku disa prej tyre po përjetojnë rënie më të shpejta se të tjerat. Kosova kryeson listën botërore për rënien më të fortë të popullsisë, me një tkurrje rekord prej – 9.69 për qind në vitin 2024. Shqipëria, po ashtu renditet në dhjetë vendet me reduktimin më të fortë të popullsisë në Evropë në dekadën e fundit, popullsia e vendit u zvogëlua me -1,15 për qind.
“Emigracioni masiv, sidomos i të rinjve drejt vendeve të Bashkimit Europian, po e kthen këtë fenomen në një sfidë serioze demografike dhe ekonomike për vendin. Europa JugLindore kryeson në rënien e popullsisë duke regjistruar norma të larta emigracioni gjatë dekadave të fundit, për shkak të hendekut të pagave me pjesën tjetër të kontinentit, si dhe liberalizimit të masave për lëvizjen e fuqisë punëtore. Një tjetër trend interesant është përfshirja e ekonomive të mëdha si Gjermania, Japonia, Kina dhe Italia. Ndërsa rëniet e tyre janë modeste, madhësia e këtyre vendeve do të thotë që ndryshimi demografik mund të ketë efekte të gjera globale”, thuhet në publikim.
Sipas vlerësimit të fundit të popullsisë nga Enti Shtetëror i Statistikave ( deri në nga 31.12.2024), vendi numëron 1,822,612 banorë, që është 96,768 persona ose 5.0 për qind më pak se vlerësimi i popullsisë në vitin 2014 dhe 60,893 persona ose 3.2 për qind më pak se në vitin 2019.
“Sa i përket strukturës moshore, popullsia maqedonase po plaket gjithnjë e më shumë. Në periudhën nga viti 2014 deri në vitin 2024, pjesa e popullsisë së moshuar (65 vjeç e lart) u rrit nga 13.5 për qind në 18.6 për qind . Në periudhën nga viti 2014 deri në vitin 2024, numri i lindjeve u ul me 7.535 dhe shkalla e lindjeve u ul nga 11.4 ‰ në 8.8 ‰ (lindje për 1000 banorë)”, konstaton ESHS. Qeveritë po ndërmarrin veprime për të rritur shkallën e lindjeve, por është shumë herët për të vlerësuar efektivitetin e tyre. Si shembull merret Japonia ku është themeluar Agjencia për Fëmijët dhe Familjet, një organ i ri administrativ që mbikëqyr mirëqenien e fëmijëve dhe aksesin në çerdhe. Ndërkohë, në Kinë, qeveria ka publikuar një subvencion kombëtar prej 500 dollarë në vit për çdo fëmijë nën moshën tre vjeç. (koha.mk)