Komuna e Gostivarit ka nisur zbatimin e tre projekteve të rëndësishme infrastrukturore në fshatin Çegran, të cilat u prezantuan sot nga kryetari i komunës, Valbon Limani. Bëhet fjalë për asfaltimin e rrugës së varrezave me gjatësi mbi 1,200 metra, shtrimin me pllaka bekatoni të tetë rrugëve lokale si dhe fillimin e ndërtimit të kanalizimit fekal për linjën kryesore.
Vizita e Limanit në këtë fshat nisi te rruga e varrezave, për të cilën ai bëri të ditur se është projekt i bashkëfinancuar nga Komuna e Gostivarit dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut, përmes kredisë hungareze. Ndërkohë, rrugët e shtruara me pllaka bekatoni janë financuar plotësisht nga buxheti komunal.
“Janë investime të nevojshme për komunitetin, të realizuara me paratë e qytetarëve. Nuk ka rëndësi kush i zbaton – ato janë pronë e përbashkët e të gjithë banorëve,” tha Limani, duke theksuar rëndësinë e transparencës dhe llogaridhënies në administrimin e fondeve publike.
Në fshatin Çegran kanë nisur gjithashtu punimet për ndërtimin e linjës kryesore të kanalizimit fekal, në bashkëpunim me pushtetin qendror, ku komuna investon 27 milionë denarë dhe qeveria 20 milionë denarë.
Kryetari Limani kujtoi se gjatë viteve të fundit janë realizuar mbi 15 kilometra rrjet kanalizimi dytësor, ndërsa ky projekt i ri shënon një fazë të rëndësishme për përmirësimin e infrastrukturës sanitare, pasi bëhet fjalë për linjën kryesore të kanalizimit.
Ai shtoi se për mandatin e ardhshëm planifikohen projekte të reja kapitale për këtë zonë, që do të përfshijnë edhe fusha të tjera të rëndësishme për zhvillimin lokal.