Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur të pezullojnë pa afat Dialogun Strategjik me Kosovën, për shkak të shqetësimeve ndaj veprimeve të fundit të Qeverisë në detyrë. Lajmi u bë publik nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, përmes një postimi në Facebook, pa ofruar detaje të mëtejshme, duke hapur rrugë për spekulime në opinionin publik.
Ky vendim është komentuar nga veprimtari shqiptaro-amerikan Agim Aliçkaj, i cili e cilësoi pezullimin si “lajm të keq, por jo fundin e botës”.
“Raportet mes shteteve nuk prishen me një deklaratë. Dialogu nuk kishte nisur ende, ndaj nuk mund të flitet për humbje konkrete”, tha Aliçkaj.
Ai theksoi se kritikat publike ndaj kryeministrit në detyrë Albin Kurti nga përfaqësuesja amerikane, Anu Prattipati, mund të kenë ndikim në zgjedhjet lokale dhe proceset politike në vend.
Sipas tij, situata mund të zgjidhej me një takim ballë për ballë mes Kurtit dhe përfaqësueses amerikane, ku të sqaroheshin me fakte dhe argumente çështjet e ngritura.
Dyshime për ndikim serb dhe lobim kundër Kurtit
Aliçkaj shprehu dyshime se problemi real nuk lidhet me deklaratat e Kurtit, por me një lobim të koordinuar pro-serb, ku përfshihen siç përmend emra: ish-emisari amerikan Richard Grenell,ish-ambasadori në Beograd Christopher Hill, partitë opozitare në Kosovë dhe Edi Rama.
“Grenell nuk përfaqëson Amerikën, por interesat serbe e ruse në Ballkan. Lista Serbe nuk përfaqëson komunitetin serb në Kosovë, por regjimin e Vuçiqit,” deklaroi ai.
Aliçkaj paralajmëron se çdo bashkëpunim me Listën Serbe apo pranim i Asociacionit, do të përbënte një shkatërrim të shtetësisë së Kosovës dhe një tradhti ndaj luftës dhe sakrificës së popullit shqiptar. Ai theksoi se marrëdhënia me SHBA-të duhet të bazohet në respekt dhe partneritet, jo në frikë apo nënshtrim.
“Kosova nuk ka nevojë për miqësi që e kushtëzon lirinë dhe pavarësinë. Shteti ndërtohet me guxim, jo me frikacakë. As Amerika nuk i do të tillët, edhe pse i përdor,” përfundoi Aliçkaj.(INA)