Koalicioni VLEN i sheh zhvillimet e fundit në kampin politik shqiptar si dëshmi të një krize të thellë brenda koalicionit AKI. Sipas tyre, largimi i ASH-së së Ziadin Selës dhe tërheqja e Krenar Llogës nuk janë episode të izoluara, por sinjal i shpërbërjes së një strukture që siç thonë nga VLEN është ndërtuar “pa kauzë, pa vizion dhe pa orientim të qartë politik”. Në reagimin e tyre, ata theksojnë se mungesa e kohezionit, konfliktet e brendshme dhe pamundësia për të ndërtuar një projekt të qëndrueshëm politik kanë bërë që AKI të kthehet në një koalicion që ekziston vetëm në letër, ndërsa terreni po zbrazet nga figura politike dhe mbështetja qytetare.
Reagimi i plotë:
Koalicioni AKI, i ndërtuar pa kauzë, pa vizion dhe pa orientim të qartë politik, po hyn në fazën e shpërbërjes së pashmangshme. Ajo që ndodhi dje me largimin e ASH-së së Ziadin Selës dhe largimi i Krenar Llogës nga ky koalicion tregojnë qartë krizën e thellë të brendshme, mungesën e kohezionit dhe dështimin për të ndërtuar një ofertë politike të qëndrueshme.
Moskordinimi i tyre i vazhdueshëm është bërë tashmë model i dështimit, jo vetëm që nuk arrijnë të formësojnë një drejtim të përbashkët, por çdo ditë dëshmojnë se ky koalicion ka funksionuar vetëm si strehë e interesave të ngushta personale, jo si projekt politik për shqiptarët.
VLEN mbetet forca e vetme e konsoliduar, me program, me vizion dhe me strukturë të qartë shtetndërtuese. Ndërsa AKI po shpërbëhet pjesë-pjesë, qytetarët dhe figura të rëndësishme politike po rikthehen aty ku gjendet stabiliteti, serioziteti dhe perspektiva e vërtetë.
VLEN do të vazhdojë të punojë me përgjegjësi dhe transparencë, duke mbrojtur interesin e përgjithshëm dhe duke ndërtuar një të ardhme të sigurt për qytetarët, ndërsa të tjerët merren me shpërndarjen e një koalicioni që asnjëherë nuk e pati një kauzë të vetën.