Shkruan: Florin Hasani
Çfarë paradoksi nga të dyja taboret politike, pozita dhe opozita: Të dyja kërkojnë nga qytetarët që të angazhohen në fushatë dhe të votojnë për kandidatët e tyre, gjë që është e logjikshme pasi zgjedhjet janë lokale, por kur vjen puna tek organizimi i fushatës, opozita ia dorëzon ekspertëve nga Shqipëria, ndërsa pozita agjencioneve nga Kosova.
Ky është një turp i madh, sidomos kur kemi kaq shumë profesionistë të kualifikuar, madje edhe të tejkualifikuar këtu në Maqedoni, të gatshëm për të bërë këtë punë. Megjithatë, mjetet financiare drejtohen gabimisht dhe shkojnë jashtë shtetit.
Që nga viti 1994, shqiptarët kanë luftuar dhe paguar me gjak për të pasur universitetin e tyre, dhe ëndrra u bë realitet. Në vitin 2001 erdhi Universiteti i Evropës Juglindore, dhe më pas Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup. Tre universitete me studentë vendorë dhe ndërkombëtarë, mbi dy dekada me punë e dije, dhe megjithatë nuk keni arritur të edukoni e përgatisni staf për të organizuar një fushatë politike? Edhe kjo është turpi juaj.
Kur vjen puna te akuzat, të gjithë jeni të shpejtë me gurë: “donacione serbe”, “propagandë serbe”, “investitorë serbë”, por mos harroni se partia VMRO nuk ia hedh paratë kompanive serbe, por bën fushatë me agjencione vendore.
Mos u ankoni nesër pse të rinjtë po e lënë vendin. Përgjigjja është e thjeshtë: sepse ju i shihni vetëm si votues, jo si kapacitet intelektual dhe si njerëz që mund ta kryejnë punën.
Ndikimi politik i Kosovës në njërën anë dhe i Shqipërisë në anën tjetër është bërë aq i madh, sa partitë tona tashmë kanë hequr dorë nga të menduarit vetë. Presin që dikush nga larg të shtypë butonin dhe të kontrollojë gjithçka këtu. Ky është një turp i madh.