Shkruan: Naser Pajaziti
Zgjedhjet lokale në Kumanovë po sjellin një garë të ngjeshur mes taboreve shqiptare – dhe kjo është një dritare shprese, jo për ndasi, por për zgjedhje reale. Ka emra të respektuar në listat e kandidatëve, disa që e kanë dëshmuar veten në profesion, por pyetja themelore është: A do të kenë guximin dhe vizionin që të mos jenë thjesht fasadë politike për të legjitimuar dominimin e deritanishëm të partive apo koalicioneve partiake maqedonase në komunë?
Për fat të keq, përkundër se shqiptarët janë një pjesë thelbësore e popullsisë në këtë komunë, pozicioni i tyre në pushtetin lokal ka qenë periferik, shpesh vetëm sa për numër, jo për ndikim. Katër vitet e fundit e treguan më së miri: një kryetar komune me pushtet absolut dhe një shumicë maqedonase që s’duron partneritet, por vetëm nënshtrim.
Pas 19 tetorit, nuk duhet të kthehemi në të njëjtën skemë: “merre çka të japin”, “kap çka të kapësh”. Kjo është politikë lëmoshe, jo përfaqësim.
Koha është për qartësi dhe kandidatët shqiptarët përtej flamujve, fjalimeve pompoze folklorike, duhet të ofrojnë zgjidhje për: infrastrukturën e harruar në shumë lagje shqiptare, ndryshimin e planeve urbanistike, përfaqësim real në vendimmarrje, transparencë në ndarjen e buxhetit komunal, arsim, kulturë, shërbime publike, sidomos aty ku mungesa është më shumë se e dukshme, etj.
Vota shqiptare s’duhet të jetë më votë për simpati apo për inat, por për program dhe përfaqësim serioz. Sepse nëse pas katër viteve gjithçka do të varet sërish nga shumica absolute dhe vullneti i një kryetari të vetëm, atëherë nuk kemi zgjedhur – kemi thjesht votuar për të humbur. Suksese të gjithë kandidatëve!