Bulevardi Cvetan Dimov, ose e njohur si rruga Çairçania mbetet “zorrë qorre” jo vetëm për Çairin, por edhe më gjerë, për trafikun e dendur që shkaktohet aty. Të dy kandidatët për kryetar të kësaj komune e kanë në plan program zgjidhen e këtij problemi, por idetë i kanë të ndryshme.
Izet Mexhiti nga VLEN parashikon zgjerimin e bulevardit me 6 korsi nga udhëkryqi i gjykatave deri në dalje të qarkores së Butelit. Në programin e tij premton heqjen e tarracave të dyqaneve si ndërtime ilegale dhe të gjitha tezgat që kanë zaptuar trotuaret për t’i dhënë drejtim edhe zgjerimit të bulevardit.
“Ka studim, ka pasur edhe bisedime me qytetarët këtu! Nuk prishet asnjë shtëpi, prishen disa terasa që edhe kur i kanë ndërtuar e kanë ditur do të vijë dita që duhet të zgjerohet ky bulevard. Siç i shihni objektet, janë tarracat që me vullnet të mirë do të hiqen. Por edhe për atë do të dëmshpërblehen diku 3 milionë euro parashikohen për procesin e shpronësimit. Nuk do të mbetet asnjë qytetarë i dëmtuar dhe mos të dëmshpërblehet”, theksoi Izet Mexhiti, kandidat i VLEN për Çairin.
Nga ana tjetër, kandidati i AKI-së për këtë komunë Bujar Osmani parashikon kalimin nëntokësor përmes një tuneli tërësisht nën bulevard për të ulur trafikun e ngarkuar në komunën më të dendur në Evropë.
Ai tha se Çairi ndodhet para pikës së kolapsit, duke prezantuar strategjinë e tij “Smart Parking”. Osmani thotë se problemi i parkimit është arsyeja kryesore e kaosit, konflikteve të përditshme të qytetarëve.
“Në sheshin Liria pjese e vizionit Çairi 2040, e dini që parashihet rruga Cvetan Dimov ose e famshmja Çaircania, të bëhet me kalim nëntokësor kurse mbi të, të ketë shesh. Sheshi Liria i cili do të lidh Gazi Babën dhe Serovën dhe do të jetë sheshi i dytë pas Skënderbeut. Në këtë projekt sipas shtëpisë së arkitekturës që e ka udhëhequr Mishel Rojkin parashihen 350 vende parkimi”, u shpreh Bujar Osmani, kandidat i AKI për Çairin .
Megjithatë bulevardet e qytetit janë nën kompetencë të Qytetit e Shkupit, andaj edhe dy kandidatët e partive më të mëdha maqedonase premtojnë zgjidhje.
Idesë së zgjerimit të bulevardit Cvetan Dimov i bashkëngjitet edhe kandidati i VMRO-së për Qytetin e Shkupi, Orce Gjeorgjievski, sipas të cilit ka tre dekada që ky projekt nuk është realizuar, ndonëse sipas tij nuk kanë munguar mjetet financiare, por ka munguar vullneti politik. Kundërkandidatja e tij nga radhët e LSDM-së Kaja Shukova, në programin e saj ka paraparë një alternativë shtesë sipas sitemit BRT. Shukova tha se trafiku dukshëm do të shkarkohet kur qytetarët e Butelit dhe fshatrave përreth nuk i bien Çairçanës për të ardhur në Qendër dhe anasjelltas.