Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca po qëndron për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa është takuar me të dërguarin e SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Gabriel Escobar dhe ish-kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.
Gjatë takimeve në SHBA është diskutuar për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe bashkëpunimin Kosovë-Amerikë.
Konjufca ka treguar se me Escobarin kanë diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend dhe rajon, për procesin e dialogut dhe marrëveshjen e Ohrit, si dhe hapat e mëtejmë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
“Ritheksuam qëndrimin e shtetit të Kosovës, por edhe garantimin e Departamentit të Shtetit, se nuk mund të formohet kurrfarë asociacioni apo ndonjë mekanizëm tjetër që cenon sovranitetin, pavarësinë, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Konjufca.
“Në kuadër të vizitës sime zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i shoqëruar nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Washington DC, Ilir Dugolli dhe Shefi i Stafit, Ilir Kërçeli, takova Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës njëherësh Përfaqësues Special për Ballkanin Perëndimor, z.Gabriel Escobar.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe i dërguari i SHBA-së për dialogun, Gabriel Escobar
Ndamë pikëpamje të njëjta që të vazhdojmë të punojmë së bashku për agjendën e përbashkët të anëtarësimit të Kosovës në strukturat euroatlantike dhe organizata ndërkombëtare, e po ashtu edhe për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, shkruan Konjufca.
Kryeparlamentari gjatë qëndrimit në SHBA është takuar edhe me ish-kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e cila i kishte pritur në Kongresin Amerikan.
Konjufca ka thënë se me kongresisten Pelosi ka shkëmbyer pikëpamje për zhvillimet në rajon dhe arenën ndërkombëtare, forcimin e bashkëpunimit dypalësh.
“Po ashtu u bisedua edhe për rëndësinë e avancimit në proceset euroatlantike dhe vazhdimin e mbështetjes së Republikës së Kosovës nga aleati dhe partneri ynë strategjik – Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Konjufca.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca gjatë një takimi me ish-kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi
“Takim tejet miqësor me ish-Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve dhe miken e kamotshme të Kosovës, zonjën Nancy Pelosi, e cila na mirëpriti në Kongresin Amerikan.
“Nënvizuam faktin se popujt dhe shtetet tona ndajnë të njëjtat vlera dhe parime të lirisë e demokracisë, dhe se çdo ditë e më tepër po i zgjerojnë fushat e bashkëpunimit të ndërsjellë”.
“Kosova dhe populli ynë janë të bekuar që kanë miq kaq të mrekullueshëm e të çmuar si Kongresisten Pelosi dhe përkrahjen e pakursyer të Shteteve të Bashkuara”, ka shkruar Konjufca.