Sulmuesit e gazetarit të njohurt Valon Syla kanë dhënë deklaratat e tyre para gjykatës duke theksuar se ndjejnë keqardhje, por reagimi dhe sulmi ka qenë i momentit dhe aspak nuk kishte ndonjë motiv.
Tre sulmuesit e Sylës janë Lum Dervishi, Kenan Hasani dhe Okan Hasani, të cilët janë në paraburgim si të dyshuar për sulm fizik dhe se ndaj tyre pritet të ngritet akuzë edhe për vepër penale “nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.
Dervishi ka deklaruar në gjykatë se ndjen keqardhje që ka ndodh rasti dhe sipas tij nuk kishte motive, por ka qenë e momentit.
“Për shkak se ka fyer pejgamberin a.s.”, theksoi ai duke vlerësuar që gjykata ti shqiptojë një dënim më të lehtë se paraburgimi.
Edhe Kenan Hasani ka deklaruar se sulmi fizik ndaj gazetarit Syla ka qenë i momentit dhe se nuk ka qenë i planifikuar apo diçka tjetër.
Vëllai i tij, Okan Hasani, ka deklaruar në gjykatë se nuk e pranon paraburgimin dhe se nuk kanë pasur të arratisen pas sulmit. Sipas tij, edhe pas sulmit kanë qarkulluar lirshëm edhe pse i kanë pa lajmet në media për gazetarin Syla dhe deklaroi se pasi kanë pranuar telefonatën nga policia nuk kanë rezistu.
“Dua të shtoj se nuk e pranoj paraburgimin e para se na nuk kena pas mu arratis por qysh ka ndodh rasti e shpjeguan edhe këta, na edhe mas rastit kena qarkullu lirshëm, i kena pa edhe lajmet edhe krejt dhe s’kena tentu mu arratisë ose diçka, masi na ka ardhë telefonata prej policisë s’kena rezistu, kena pranu kanë ardhë me na marrë…”, është shprehur ai në gjykatë, transmeton Gazeta Express.
Masën e paraburgimit e kanë kundërshtuar mbrojtësit e të dyshuarve, por gjykata ka vendosur 1 muaj paraburgim ndaj tyre, masë kjo që do t’u zgjasë deri me 13 maj.
Si rrethanë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, ndër të tjera gjykata e ka marrë në konsideratë peshën e veprës penale, karakteristikat personale të të pandehurve dhe mënyrën e organizimit për sulm në kohë të shkurtë ndaj Sylës.
Njëri nga avokatët e gazetarit Valon Syla, Fisnik Salihu tha për Express se rasti është në fazën hetimore dhe nuk kanë ndonjë informacion se kur pritet të jap deklaratën e tij Syla para prokurorisë.
Prokuroria e përshkruan se të dyshuarit të motivuar ideologjikisht kanë përcjellë gazetarin Syla nga T7 deri në Breg të Diellit, të cilin më pas e kanë sulmuar me grushte në kokë dhe në pjesë të ndryshme të trupit./GazetaExpress