Sermet Sulejmani
Eh, Fishta i shkretë! Sikur të ringjallej sot e të shihte ç’fishta të rinj ka pjellë ky truall, do t’ia mbathte drejt ndonjë manastiri budist, do t’i rruante mustaqet, do të ndërronte emrin dhe do të betohej të mos fliste më shqip, veç sanskritisht.
Se këta tanët, në Maqedoni e në Kosovë, janë bërë “fishta me bateri”: disa me kravatë trëndafili, disa me shall kombëtar, e disa me mjekrra që u rriten më shpejt se mendja.
E sa afrohen zgjedhjet lokale, ngjallen si vampirë bardh e zi, me gjuhë të mbështjellë në celofan patriotik. Mjafton t’i shkundësh pak, dhe poshtë etiketa e vjetër e pushtetit shkëlqen sërish:
“Do ta legalizojmë shqipen dhe flamurin!”
Bobobobo! E thonë me krenari, sikur ta kishin shpikur rrotën. Njëri, që ka dy dekada në pushtet, tani shfaqet si i sapodalë nga opozita:
“Që kur erdhëm ne, çdo gjë ka ndryshuar për mirë! Tani shqipja dhe flamuri përdoren edhe në tabelat e komunikacionit!”
Uau! Ç’fitore kombëtare! Në ç’gjuhë tjetër duhej të shkruheshin tabelat, në japonishten e Shogunit apo në esperanto?
Ndërkohë, portalet brohorasin, analistët e subvencionuar mbushin ekranet, e një gazetar me bark të fryrë nga patriotizmi i vonuar shkruan:
“Legalizimi i medresesë në Kondovë është hap historik për kombin shqiptar!”
Nëse kombi vesh tabela shqip, po nxënësit e medresesë me rroba arabe — pse qenka kjo arritje kombëtare? Me këtë ritëm, nesër ndoshta do ta shpallim Shqipërinë të pavarur për herë të dytë, vetëm se kësaj here, në versionin e Haxhi Qamilit.
E më e bukura?
“Deputetët shqiptarë flasin shqip pa frikë!” – thonë me entuziazëm.
Ku? Në komunat me shumicë shqiptare!
Çdo katër vjet rilind shqipja, çdo qeveri e “legalizon” sërish, çdo ministër e shpik nga e para. Kjo meriton tri ton bronz dhe një këngë patriotike për çdo folje të përdorur drejt.
Ndërkohë, patriotët e portaleve, me laptop në prehër dhe pagesa në euro, e mbrojnë atdheun me “statuse” 45-sekondëshe në Facebook. Ata të diasporës janë më heroikët: vijnë për tri javë, japin leksione për dashurinë ndaj atdheut dhe kthehen në “baushtelle” duke thënë solemnisht:
“Atdheu është mbi të gjitha!”
Në fund, “të ndriturit e kombit” me syze pa xhama e fjalor në dorë shpallin urtësinë e radhës:
“Shqipja duhet të flitet në të gjitha komunat me shumicë shqiptare.”
Faleminderit për zbulesën, o gurra të diturisë!
Eh, po të ishe gjallë, o Fishtë!
Do të thoshe me atë zërin tënd rrufe:
“Le ta dëgjojë bota mbarë, se shqiptari s’ka më as komb as farë.”