Çdo vit regjistrohen rreth 5.000 raste të reja me goditje në tru, çka vendin tonë e rendit mes shteteve me incidencë dhe prevalencë të mesme – respektivisht 200 deri në 300 raste për 100 mijë banorë. Mjekët paralajmërojnë se asnjë grupmoshë nuk është e kursyer, pasi goditja në tru mund të shfaqet edhe tek fëmijët dhe të rinjtë nën 45 vjeç. Shefja e repartit për urgjencë neurologjike në Klinikën Universitare të Neurologjisë, profesoresha Anita Arsovska, theksoi rëndësinë e reagimit të shpejtë.
“Është shumë me rëndësi të njihen shenjat e sulmit në tru të cilat vijnë përnjëherë. Zakonisht një pjesë e trupit paralizohet në dorë dhe këmbë, pastaj mund të ketë pengesa në të folur, moskuptim të të folurit të tjetrit, shtrembërim i fytyrës nga njëra anë, mund të paraqitet kokëdhembje, marramendje, jostabilitet, pengesa në përbirje, problem me të pamurit. Kur këto simptoma paraqiten, pacienti duhet të transportohet në qendrën shëndetësore më të afërt”, tha Anita Arsovska – shefe e Repartit të Neurologjisë.
Drejtori i klinikës, doktor Jovan Bozhinovski, njoftoi se po planifikohet blerja e një aparati MRI të dedikuar për Neurologjinë, që do të përmirësojë diagnostikimin dhe do të lehtësojë punën e Institutit të Radiologjisë.
“Sa i përket diagnostikimit të goditjeve në tru ne kemi bashkëpunim edhe me Institutin e radiologjisë, megjithatë marrë parasysh numrin e pacientëve, jo çdo herë marrja e rezultateve shkon shpejt dhe thjesht. Në këtë drejtim vetëm se ka ide për blerjen e një magneti që do të jetë vetëm për Klinikën e Neurologjisë”, theksoi Jovan Bozhinovski – Drejtor I Klinikës së Neurologjisë.
Sipas doktoreshës Arsovska, mbi 90 për qind e rasteve me goditje në tru mund të parandalohen përmes kontrollit të presionit të lartë të gjakut, nivelit të sheqerit dhe yndyrave, si dhe shmangies së duhanit, stresit dhe ndotjes. Në kuadër të Ditës Botërore të Goditjes në Tru, Klinika e Neurologjisë organizoi një ditë të hapur me kontrolle falas të arterieve karotide. Në vizitë ishte edhe ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, i cili vlerësoi iniciativën dhe tha se sistemi shëndetësor duhet të fokusohet jo vetëm në trajtim, por edhe në parandalim dhe edukim publik.