Prof.dr.Enver Bytyçi
Ka një diskutim nervoz rreth idesë së kombit kosovar. “Komb kosovar! Nga e gjetën këtë term këta kosovarët? Ata janë shqiptarë”! Ky është diskursi i shqiptarëve në Shqipëri. Ndërsa kundërshtarët e kësaj ideje në Kosovë thonë “Pa hiqju ktyne teorive! Nuk ka komb kosovar, ka vetëm komb shqiptar me një flamur e një shqipe krenare në mes të flamurit”! Ndërkohë intelektualë dhe njerëz publikë bëjnë sikur nuk kuptojnë. Shumica thonë se shqiptarët janë një komb. Se kanë një flamur e një gjuhë. Në mesin e këtyre njerëzve shpesh herë ka shqetësim dhe sinqeritet. Por në jo pak raste ky diskurs po shfrytëzohet për të shit patriotizëm, sidomos në radhët e politikës.
Kam vënë re se idenë e kombit kosovar e kundërshtojnë edhe jo pak shqiptarë në dy anët e kufirit, të cilët kanë probleme me të kaluarën patriotike për shkak të qëndrimeve anti-shqiptare e sidomos anti-Kosovë. Tani që Kosova është shtet, kjo kategori njerëzish përpiqet të rikuperojë për imazh, e përsëris thjesht për imazh, të kaluarën e dyshimtë, deri në bashkëpunimin me shërbimet sekrete të Serbisë. Unë jam idealist, por edhe racional dhe në analizën time bazohem në logjikën e së drejtës ndërkombëtare. Prandaj dhe po shpjegohem.
Pyetja e parë që buron nga kjo është: – A është Kosova shtet? Sigurisht që po. Por është shtet ende pa ulëse në OKB. Prandaj dhe i mungon deri diku subjektiviteti ligjor ndërkombëtar. A e ndihmojnë shtetësinë e Kosovës kundërshtitë për ndryshimin e emërtimit të kombësisë. Besoj se nuk e ndihmojnë. Sepse sipas filozofisë së krijimit, ndërtimit dhe funksionimit të shteteve, shteti dhe kombi janë simbiozë e njëra-tjetrës. Nuk ka shtet pa komb dhe nuk ka komb pa shtet. Gjuha dhe kultura janë elementë karakteristikë që formojnë kombin. Por kombi quhet komb vetëm atëherë kur ai ka shtetin e tij. Kosova është shtet që prej 17 shkurtit 2008. Që prej asaj kohe ajo ka flamurin dhe simbolet e saj të ndryshme nga ato të Shqipërisë.
Flamuri i Shqipërisë është historia e Kosovës, Shqipërisë dhe shqiptarëve, por historia nuk mjafton për të ndërtuar kombin. Duhet shteti. Kosova është emërtuar si shtet kosovar, qytetar e multietnik. Nuk është emërtuar shtet shqiptar. Shteti shqiptar ekziston në Shqipëri, jo në Kosovë. Kosova ka të njëjtën gjuhë me shqiptarët e Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarët që jetojnë në Ballkan. Prej këtyre rreth 700 mijë shqiptarë jetojnë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të cilët janë shtetas të kësaj republike. Për këta askush nuk kujtohet se kujt kombi i përkasin. Për ta thuhet se janë të etnisë shqiptare, por nuk thonë e nuk mund të thonë se janë komb shqiptar. Sepse kombi dhe shteti janë simbiozë.
Ky diskutim po ndodh vetëm në rastin e Kosovës. Madje me një frymë qortimi deri në masën që promovuesit e kësaj ideje po konsiderohen “tradhtarë”! Tradhtarë të kujt? Të kombit shqiptar, na thonë, por në fakt është e kundërta. Njerëzit e sinqertë e idealistë, të manipuluar me idenë e bashkimit kombëtar, kanë të drejtë të revoltohen kur ndonjë analist i Kosovës deklaron me inat e me mburrje se “nuk do që të jetë pjesë në kombin shqiptar”, sepse vendi i tij është komb kosovar! Trajtesa të tilla me mllef dhe inate për disa cene të shqiptarëve të Shqipërisë, janë të gabuara. Por nuk është e gabuar ideja e kombit kosovar dhe pranimi i tij, sepse ky komb kosovar është realitet aktual.
Krijimi i shtetit të Kosovës mund të krahasohet me sëmundjen e kancerit. Kanceri i Kosovës ishte Serbia, shteti, kisha, akademia, shoqatat, ushtria, të gjitha instrumentet anti-shqiptare serbe. Kur njeriu e kuron kancerin, për t’u shëruar prej tij do të duhet të pranojë ilaçe me ndikim anësor. Kësisoj edhe Kosova për t’u bërë shtet, pra për t’u shëruar nga kanceri me emrin Serbi, përdor ilaçe që bëjnë dëm kolatoral. Ky dëm kolateral e ka emrin heqje dorë nga të qenit komb shqiptar dhe krijimi i kombit kosovar. Por ne shqiptarët i duam të gjitha. Edhe shtetin e Kosovës e duam të forcohet, edhe formulën e të qenit komb shqiptar nuk duam ta fshijmë. Kësaj i thonë që të martohesh e të vazhdosh të flesh me nënën. Ose si ajo shprehja e dikurshme “Edhe te nëna të jem, edhe burrin ta kem”! Në fakt nuk mund të jetë kështu. Nuk mund të funksionojë kësisoj. Ideja e kombit kosovar bazohet në rregullat ndërkombëtare të shtetësisë.
Nëse nuk e duam kombin kosovar, atëherë duhet ta bashkojmë Kosovën me Shqipërinë dhe e ruajmë kombin shqiptar. Por bashkimi i Kosovës me Shqipërinë në kushtet kur ajo nuk është anëtare e OKB-së, është interes i Serbisë. Nuk është inertes shqiptar. Sepse nëse Kosova bashkohet sot e në këto kushte me Shqipërinë, atëherë ajo do të ndahet midis Shqipërisë dhe Serbisë. Pikërisht këtë akt tradhtie deshën ta bëjnë Edi Rama dhe Hashim Thaçi në vitet 2017-2020, kur u investuan së bashku me presidentin serb për ndarjen e Kosovës. Edhe ata spekuluan me idenë se “Bota nuk mund të pranojë dy shtete shqiptare”, duke predikuar se banorët e Kosovës janë shqiptarë dhe duhet të ndahen nga serbët që jetojnë në dhjetë komuna të vendit.
Teoria sipas së cilës “Bota nuk pranon dy shtete shqiptare” është teori serbe. Me këtë teori Serbia synon ndarjen e Kosovës me Shqipërinë. Por tani nuk ka partner për ta bërë këtë. Prandaj dhe Vuçiq thotë vazhdimisht se “Albin Kurti nuk bindet për asgjë, ai do luftë”! Serbia ushqen gjithashtu reagimin kundër pranimit të ekzistencës së kombit kosovar. Prandaj nuk janë “tradhtarë” ata që flasin për idenë e kombit kosovar, por pa e ditur, të tillë bëhen ata që e mbrojnë idenë se kombit shqiptar për Kosovën e kosovarët. Duhet të kuptojmë njëherë e mirë se emërtesa komb kosovar është detyrim ligjor dhe shkencor dhe si i tillë bëhet një lloj dëmi kolateral për ekzistencën, pranimin dhe forcimin e shtetit të Kosovës. Ne duhet të emancipohemi në atë shkallë, sa të kuptojmë se çfarë është logjike e racionale, bazuar në ligjin ndërkombëtar dhe të mos përdorim emocionet për të dëmtuar thelbin e ekzistencës së shtetit kosovar.
Edhe Austria flet gjermanisht e disa herë ka qenë pjesë e Gjermanisë, por është e pranuar ndërkombëtarisht se austriakët janë komb austriak. Pikërisht për shkak se kanë shtetin austriak. Të gjitha vendet arabe kanë të njëjtën gjuhë e madje besim fetar e zakone të njëjta, por kombi arab është ndarë në kombe sipas shteteve. Palestinezët thonë se i përkasin kombit palestinez, sirianët kombit sirian, libanezët kombit libanez e kështu me radhë egjiptianet, sauditët, irakianët etj.
Të thuash jam kosovar është qëndrim anti-serb. Nuk është pikëpamje serbe. Nuk duhen ngatërruar penjtë, thoshin pleqtë në kuvendet e odave të dikurshme!