Garë jashtëzakonisht e ngushtë u zhvillua në Mitrovicë, ku pas numërimit të 100% të votave, rezultati mes dy kandidatëve kryesorë – Arian Tahirit të PDK-së dhe Faton Pecit të Lëvizjes Vetëvendosje (VV) – është vendosur me vetëm 28 vota diferencë, përcjell INA.
Sipas rezultateve përfundimtare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve:
ARIAN TAHIRI – PARTIA DEMOKRATIKE E KOSOVËS (PDK)
🟩 47.89% – 15,368 vota
FATON PECI – LËVIZJA VETËVENDOSJE! (VV)
🟥 47.80% – 15,340 vota
Një rezultat i tillë e bën Mitrovicën komunën më të ngushtë në gjithë Kosovën, dhe sipas të gjitha gjasave, ajo do të shkojë në balotazh, pasi asnjëri kandidat nuk e ka kaluar pragun prej 50 për qind të votave.
PDK shpalli fitoren, por rezultati real e dërgon garën në raund të dytë
Për ironi, Arian Tahiri dhe shtabi i tij në PDK shpallën fitoren menjëherë pas përfundimit të procesit zgjedhor, duke e cilësuar rezultatin si “fitore të pastër”.
Por pas publikimit të plotë të të dhënave nga KQZ, doli qartë se diferenca është tepër e vogël dhe se Mitrovica shkon drejt balotazhit.
Ky përmbysje ka shkaktuar habinë dhe irritimin e qytetarëve, të cilët e panë se deklaratat e parakohshme politike nuk përputhen me të dhënat zyrtare.
Sondazhe të rreme dhe informim manipulator
Në mbrëmjen zgjedhore, disa studio televizive dhe sondazhe të porositura shpallën fitore të sigurt për kandidatin e PDK-së, duke krijuar një atmosferë triumfi të rremë.
Rezultati përfundimtar e ka rrëzuar këtë narrativë, duke treguar se bëhej fjalë për një mashtrim mediatik dhe dështim profesional.
Ky zhvillim është cilësuar nga analistët si skandal informativ, ku disa media e përdorën hapësirën publike për propagandë dhe ndikim elektoral, në vend të raportimit objektiv dhe të balancuar.
Mitrovica – simbol i garës më të ashpër në Kosovë
Në këtë atmosferë tensioni politik dhe pasigurie numerike, Mitrovica pritet të jetë epiqendra e raundit të dytë zgjedhor, që mund të përcaktojë jo vetëm kryetarin e ardhshëm të qytetit, por edhe balancat politike kombëtare mes PDK-së dhe Vetëvendosjes.(INA)