Një mbështetje e gjerë po i jepet kandidatit të pavarur për kryetar të Komunës së Strugës, Mendi Qyrës, nga figura të njohura të biznesit dhe ekonomisë shqiptare në Maqedoni të Veriut, Shqipëri, Kosovë dhe diasporë.
Në kuadër të takimeve me përfaqësues të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP) dhe Forumit Ekonomik Mbarë Shqiptar (FEMSH), disa nga emrat më të respektuar të botës afariste kanë shprehur publikisht përkrahjen e tyre për vizionin dhe qasjen e Qyrës ndaj zhvillimit të Strugës.
Në mesin e përkrahësve janë:
Nikolin Jaka, kryetar i Bordit Drejtues të Forumit Ekonomik Mbarë Shqiptar;
Besim Beqaj, zëvendëskryetar i FEMSH;
Nuhi Aliu, kryetar i OEMVP;
Jeton Asani, nënkryetar i OEMVP;
Kasam Zendeli, nënkryetar i Kuvendit të OEMVP;
Xhelal Memeti, kryetar i Unionit të Afaristëve “Vizioni për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”;
Nebi Hoxha, ish-kryetar i OEMVP;
dhe Prof. Dr. Gjokë Uldedaj, themelues dhe rektor i Universitetit “Qiriazi”, njëherësh anëtar i Bordit të FEMSH.
Këta personalitete të biznesit shqiptar vlerësuan kontributin, seriozitetin dhe vizionin zhvillimor të Mendi Qyrës, duke e cilësuar atë si një përfaqësues të gjeneratës së re të lidershipit që vendos qytetin dhe zhvillimin ekonomik përpara çdo interesi politik.
Në reagimin e tij pas mbështetjes, Mendi Qyra u shpreh mirënjohës për përkrahjen dhe besimin e dhënë nga personalitetet e botës afariste shqiptare:
“ Vizioni për Strugën është më i madh se çdo interes, sepse lidhet me të ardhmen tonë të përbashkët.
Kur ky vizion përkrahet nga njerëz me ndikim, punë dhe sukses në mbarë shqiptarinë, atëherë rruga drejt zhvillimit bëhet edhe më e sigurt.
Mirënjohje dhe respekt të thellë për mbështetjen, besimin dhe energjinë që më jepni për ta çuar Strugën aty ku e meriton!”, theksoi Mendi Qyra. Ndërkohë përkrahja e gjerë ka vijuar edhe nga biznese tjera nga vendi, Shqipëria, Kosova, Lugina dhe diaspora.(INA)