Analisti politik Zejnullah Jakupi ka komentuar zhvillimet e fundit pas nominimit të Glauk Konjufcës si mandatar për formimin e qeverisë së re.
Në një prononcim për gazetën “Bota sot” ai e ka cilësuar këtë veprim si përpjekje për t’i dhënë institucioneve të vendit funksionalitet të plotë dhe për të siguruar miratimin e buxhetit për vitin 2026.
“Po ta themi qartë: nominimi i Glauk Konjufcës ka për qëllim krijimin e qeverisë së re, dhe për një periudhë të caktuar — deri në zgjedhjen e presidentit të ri — t’i mundësohet institucioneve funksionimi i plotë dhe miratimi i çështjeve urgjente, siç është buxheti për vitin 2026.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka theksuar se miratimi i buxhetit është urgjent dhe një nga arsyet kryesore që e motivuan emërimin e Konjufcës si mandatar”, ka thënë Jakupi për gazetën “Bota sot”.
Jakupi thekson se ky hap i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) ka qëllim të qartë institucional dhe nuk duhet parë si manovër politike, megjithëse sfidat për mbledhjen e votave në Kuvend mbeten serioze.
Sipas tij, reagimet e menjëhershme kundërshtuese të partive opozitare – PDK, LDK dhe NISMA – tregojnë se bllokada po përdoret si mjet për mbrojtjen e sistemit të vjetër të privilegjeve politike, duke e kthyer pengimin institucional në strategji të qëllimshme për ruajtjen e status quo-së.
“Megjithatë, nuk dihet nëse ekziston siguri për mbledhjen e votave të nevojshme në Kuvend.
Për këtë nuk ka garanci, pasi menjëherë pas nominimit të Konjufcës nga Këshilli i Përgjithshëm i LVV-së, u dëgjuan reagime kundërshtuese nga PDK, LDK dhe NISMA.
Arsyeja qëndron në faktin se LVV aktualisht nuk ka shumicë absolute në Kuvend dhe, pa mbështetjen e partive të tjera, nuk mund të sigurojë votat për formimin e qeverisë.
Për më tepër, disa prej partnerëve të mundshëm janë shprehur skeptikë ose kanë refuzuar bashkëpunimin në këto rrethana”, ka potencuar Jakupi.
Sipas tij, në këtë situatë, janë të mundshme disa skenarë mbi mënyrën si mund të zhvillohen ngjarjet politike në ditët në vijim.
Së pari ai e ka cilësuar ish-Opozitën si bllokuese, duke thënë se e njëjta bllokadën e përdor si strategji për mbrojtjen e sistemit të vjetër.
“Nuk pritet asgjë e re nga ish-opozita, e cila po tregon hapur se nuk e pranon Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) as si forcë politike, as si filozofi qeverisëse. Nuk e duan as Glauk Konjufcën – e akuzojnë se vepron sipas udhëzimeve të Albin Kurtit. Kjo sjellje tregon një nihilizëm të thellë politik: për ta, pushteti ka vlerë vetëm kur e mbajnë vetë, ndërsa kur janë jashtë tij, çdo gjë tjetër bëhet e parëndësishme.
Ky qëndrim nuk është thjesht mungesë bashkëpunimi, por pasqyrim i mungesës së parimeve politike. PDK dhe LDK po dëshmojnë se parimi i tyre bazë nuk është shërbimi ndaj qytetarëve, por ruajtja e privilegjeve të sistemit që vetë ndërtuan.
Qëllimi i bllokimit: Mbrojtja e sistemit të vjetër”, ka theksiar Jakupi.
Ai ka potencuar se këto elita politike, të formuara në periudhën e pasluftës, kanë ngritur një sistem pushteti të bazuar mbi klientelizmin, kontrollin e burimeve publike dhe ndikimin mbi drejtësinë.
“Ndaj ardhja në pushtet e LVV-së dhe e Albin Kurtit, me një agjendë që synon çmontimin e këtij sistemi, është perceptuar si kërcënim ekzistencial për ta.
Reagimi i tyre është i pritshëm: rezistencë, sabotim dhe bllokim institucional.
Ky bllokim nuk buron nga mungesa e vullnetit politik, por është një strategji e vetëdijshme për të mbrojtur status quo-në. Ata që e ushqejnë këtë strategji tregojnë mungesë të turpit politik dhe ndjesi të paprekshmërisë – tipare që dëmtojnë rëndë kulturën demokratike”, ka shtuar ai.
Ai ka thënë se është ironike që dikur Albin Kurti akuzohej se po e bllokon formimin e institucioneve, ndërsa sot po shihet qartë e kundërta: janë partitë tradicionale – PDK, LDK, AAK dhe tashmë edhe NISMA – që po e pengojnë funksionimin e shtetit.
“Në shoqëri me kulturë politike të konsoliduar, një parti apo lider që pengon krijimin e institucioneve humb besueshmërinë publike.
Në Kosovë, përkundrazi, mosfunksionimi i shtetit është shndërruar në instrument politik: sa herë që humbin zgjedhjet, këto parti përpiqen ta kthejnë vendin në ngërç, me shpresë se qytetarët do të lodhen dhe do të kërkojnë “stabilitet” – duke i rikthyer sërish në pushtet.
Në rast se z. Konjufca nuk i merre 61 vota, presidentja do e dërgon vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka përfunduar Jakupi.
Ndryshe, mbrëmë presidentja Vjosa Osmani ka dekretuar z. Glauk Konjufca si mandatar për formimin e Qeverisë së re.