Nga Enver Robelli
Kur para disa vitesh presidenti turk dhe myslimani i devotshëm Rexhep Taip Erdoan vizitoi Beogradin dhe me atë rast u organizua një banket shtetëror, kuptohet pa mish derri dhe raki, ministri i policisë Ivica Daçiq, i cili është biri i një milici serb që kishte shërbyer në Prizren, kapi mikrofonin dhe bëri atë që i tmerron shumë adhurues të muzikës: këndoi këngën e Osman Agës në turqisht. Erdoani është politikan që nuk qesh kurrë (si mundet?), por atë mbrëmje tiparet e fytyrës së tij linin të kuptohej se ishte pak i gëzuar. Po festohej miqësia e re serbo-turke.
Kur para disa vitesh Aleksandar Vuçiqi, atëherë në postin e kryeministrit, u pyet nga gazetarët mbi ambiciet e tij presidenciale, mbi kundërkandidatët e shumtë nga opozita dhe nëse ndihej si në ato fjalët e Sulltan Muratit që gjoja paskësh thënë: “Të gjithë turqit iu vërsulën Car Llazarit”, Vuçiq u përgjigj: “Murati ka qenë njeri serioz dhe komandant i vërtetë, ndërsa këta tanët nuk i afrohen as te këmbët.”
Kur para disa vitesh Aleksandar Vuçiqi mbajti një konferencë për media (në fakt, gjithë karriera e tij është konferencë për media), ai u lavdërua për raportet e mira me Rexhep Taip Erdoanin, duke thënë se ai është shumë i kujdesshëm dhe nuk harron t’ia urojë ditëlindjen Vuçiqit apo të interesohet nëse sëmuret ndokush në familjen Vuçiq.
Me një rast Vuçiq u lavdërua se kishte mësuar si duhet shqiptuar emri “Erdogan” (pa shkronjën “g”). Kjo miqësi e madhe, e kremtuar publikisht, tani, sipas Vuçiqit, është në rrezik, sepse Erdoani i ka dërguar disa dronë kamikazë Kosovës. Befas Turqia, sipas gjeostrategut të madh nga Beogradi, nuk po dëshiruaka stabilitet në Ballkan, madje po synuaka krijimin e Perandorisë Osmane dhe kthimin e Beogradit në një pashallëk të vogël.
Zemërimi i Vuçiqit është pjesë e shout të tij të përditshëm politik. Për çdo politikan me aftësi mesatare të perceptimit të realitetit do të duhej të ishte e qartë se në arenën ndërkombëtare nuk mund të kesh marrëdhënie të shkëlqyera me të gjithë. Nuk mund të takosh Benjamin Netanjahun në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe të presësh që kjo do të duartrokitet nga Erdoani. Nuk mund të shkosh në paradën ushtarake të Vlladimir Putinit në Moskë dhe të presësh mirëkuptim nga Perëndimi.
Por nuk mund t’i mashtrosh as rusët, duke u shitur armë ukrainasve nëpërmjet shteteve të treta (shërbimet sekrete të Moskës e akuzuan Vuçiqin se po ua fut thikën në shpinë rusëve). Nuk mund të qëndrosh i varur gati tërësisht nga gazi dhe nafta ruse, t’ia shesësh infrastrukturën kritike Rusisë (për shembull industrinë e naftës) dhe të sillesh sikur nuk po i dëgjon paralajmërimet nga Washingtoni dhe Brukseli.
Dikur vjen dita kur paguan faturën, dhe nuk të ndihmojnë as tentativat për të korruptuar ndonjë figurë të vogël shahu që lëviz në orbitën e Donald Trumpit. Sanksionet amerikane kundër ndërmarrjes “Naftna industrija Srbije” (NIS) tashmë kanë hyrë në fuqi.
Në vitin 2008, kur Kosova u bë e pavarur, liderët e atëhershëm serbë, për të përqafuar edhe më shumë Moskën, ia shitën NIS-in ndërmarrjes shtetërore ruse “Gazprom”. Kur të gjitha vendet europiane (me përjashtim të Bjellorusisë) i kanë vendosur sanksione Rusisë për shkak të sulmit ndaj Ukrainës më 2022, Vuçiq është përbetuar dhe është lavdëruar se nuk do t’i bashkohet sanksioneve të BE-së kundër Kremlinit, por me dëshirë Beogradi do të përparonte në integrimet evropiane.
Kjo politikë e uljes në disa karrige po arrin në limitet e veta. Momentalisht po rrëzohen shumë karrige në të cilat ulej Vuçiqi; madje është përmbysur edhe ai shkëmbi në Shtëpinë e Bardhë ku Vuçiqi qe ulur më 4 shtator 2020 për të nënshkruar një marrëveshje me Kosovën, me ç’rast flitej shumë për ekonomi, energji, linjën ajrore Prishtinë-Beograd e projekte të tjera. Tre vjet më vonë, një bandë e armatosur dhe në shërbim të regjimit të Vuçiqit tentoi të ndezë një luftë në veri të Kosovës, me qëllim pushtimin e atij territori. (A2 Televizion)