Ambasadori Ukelli: Imazhi i diasporës sonë në Zvicër është përmirësuar dukshëm

Picture of Iliria News Agency
Iliria News Agency

17/02/2022

Albinfo.ch ka botuar numër special të magazinës së saj, me rastin e 17 Shkurtit, përvjetorit të Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Në këtë kuadër është edhe intervista me ambasadorin e Kosovës në Zvicër, Sami Ukelli

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Zvicër, Shkëlqesia e Tij Sami Ukelli, në një intervistë për albinfo.ch në prag të 17 Shkurtit, Ditës së Pavarësisë së Kosovës flet për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Zvicrës, për peshën e rolit të diasporës në këto marrëdhënie, për përmirësimin e imazhit të komunitetit shqiptar/kosovar në këtë vend, për numrin e pasaportave dhe dokumenteve të tjera që përfaqësitë konsullore të Kosovës kanë ndarë për qytetarët kosovarë në Zvicër etj.

I nderuar Ambasador. Jemi në prag të 17 Shkurtit, Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Si përfaqësues i shtetit të Kosovës në Zvicër, mund të bëni me pak fjalë një bilanc të shkurtër për arritjet dhe problemet e shtetit të ri në këto 14 vite?

Mendoj se 14 vjet në matjen e të arriturave të një shteti i formuar nga zeroja nuk janë shumë. Gjithsesi nga shpallja e Pavarësisë deri më tani janë korrur shumë suksese për të cilat duhet të jemi krenarë. Në çdo segment sipas raporteve kredibile ndërkombëtare, arritjet e Kosovës janë të krahasueshme me ato të shteteve të rajonit por edhe të Europës, ani pse nuk jemi “shpërblyer” me liberalizim të vizave e me avancim në agjendën europiane për arsye të njohura. Por dinamika e zhvillimeve dhe nevoja për të bërë edhe më shumë punë nuk jep shkas për relaksim. Kemi edhe shumë punë për të bërë. Shteti ndërtohet e zhvillohet çdo ditë. Sigurisht që Kosova i ka specifikat dhe sfidat e veçanta me të cilat përballet, por që jemi optimistë që jemi në rrugën e duhur drejt arritjes së subjektivitetit të plotë ndërkombëtar dhe zhvillimit të vendit.

Ambasada e Republikës së Kosovës në Bernë

Si ambasador tashmë i tretë i Kosovës në Zvicër, si i shihni marrëdhëniet në mes të dy vendeve. A ka ndonjë gjë të veçantë në këto marrëdhënie, qoftë problem ose ndonjë zhvillim që del përtej konstatimit të njohur për “marrëdhënie të shkëlqyera” në mes të Kosovës dhe Zvicrës?

Më duhet të theksoj se në diplomaci puna duhet bërë në vazhdimësi me agjendë, vizion e fokus të qartë që tejkalon edhe mandatin e një diplomati të dërguar, kështu që se cili është ambasador i radhës nuk luan rol. Çdo shtet është i veçantë dhe si i tillë duhet të trajtohet. Zvicra ka qenë ndër shtetet e para që ka ndihmuar kosovarët në periudhën e represionit politik ndaj shqiptarëve në vitet e 80-ta, më vonë me ndihmë humanitare, pastaj asistencë zhvillimore në ngritjen e kapaciteteve njerëzore e institucionale që po vazhdon edhe sot.

Zvicra ka veçantitë e saja në politikën e jashtme gjë që e bën mjaftë aktive dhe atraktive në marrëdhëniet ndërkombëtare. Sidomos në rrethanat e tanishme gjeopolitike e aspiratat e saj për një vend në Këshillin e Sigurimi të OKB-së që synon për periudhën 2023-24, në vitet në vijim Zvicra mund të luajë një rol shumë të rëndësishëm. Pa dyshim se Zvicra në përgjithësi ka mbështetur agjendën ndërkombëtare të Kosovës, dhe kjo është shumë e rëndësishme të theksohet.

Edhe në konstatimin e mësipërm “marrëdhënie të shkëlqyera” ka nuanca të theksimit. Fakti që përkundër që viti 2021 njihet si vit me pandemi, kemi pasur dy herë në vizitë Presidenten e Kosovës (së pari si kryetare e Kuvendit e Ushtruese e Detyrës së Presidentes e herën e dytë si e ftuar speciale në Swiss Economic Forum) tregon për nivelin e shkëlqyer në marrëdhëniet institucionale bilaterale Kosovë-Zvicër. Kemi pasur edhe konsultime politike në nivel të Ministrive të Jashtme, takime të niveleve tjera si të administratës së dy Parlamenteve e kështu me rradhë. Potenciali ekziston edhe për më tepër në shumë fusha dhe për këtë jemi duke u angazhuar. Aq më shumë që Zvicra dhe Kosova kanë një aset të përbashkët – komunitetin kosovar shqiptar që me punën e palodhshme e rezultatet pozitive që po korrë në Zvicër, po kontribuon dukshëm në thellimin e raporteve tona përtej konstatimit të lartpërmendur. Mendoj se koha është në anën tonë – nëse angazhohemi edhe më tutje të gjithë së bashku me këtë intensitet pikërisht diaspora do të jetë edhe më tutje ura jonë lidhëse në mes të dy vendeve, me të cilën edhe më tutje do të krenohemi.

A keni të dhëna se sa dokumente të të gjitha llojeve janë përpunuar, gjegjësisht u janë dorëzuar qytetarëve kosovarë në Zvicër, që nga hapja e përfaqësive tona këtu dhe cilat dokumente janë më të kërkuarat?

Më të kërkuarat janë pasaportat e letërnjoftimet, më pas fletëudhetimet. Për ilustrim vetëm nga shërbimi konsullor në kuadër të Ambasadës në Bernë që funksionon nga maji i vitit 2011 e deri në fund te vitit 2021 janë lëshuar gjithsej 15.400 pasaporta, 7.200 letërnjoftime e mbi 8.000 certifikata e vërtetime të ndryshme. Konsullata e Përgjithshme në Gjenevë ka lëshuar rreth 20 mijë pasaporta, mbi 10 mijë letërnjoftime e rreth 20 mijë certifikata, vërtetime e shërbime të ndryshme. Nga Konsullata në Zürich që për nga vëllimi i punës është më e ngarkuara, shifrat janë si vijon: numri i dokumenteve të lëshuara brenda periudhës raportuese është më shumë se 80 mijë. Kërkesat më të mëdha janë për pajisje me letërnjoftime, pasaporta dhe certifikata të Republikës së Kosovës.

Me ish presidenten federale, Simonetta Sommaruga, gjatë akreditimit

Ju jeni ambasadori i Kosovës, një vendi me një të kaluar të afërt të trazuar dhe me shumë çështje aktuale të pazgjidhura. Ndërsa Zvicra është një vend i pasur që ka një histori të gjatë të jetesës paqësore. Ajo që i lidh këto dy vende shumë të ndryshme mes vete është sigurisht prania e diasporës së madhe kosovare në Zvicër. E lehtëson kjo prani apo e bën më të vështirë punën tuaj si përfaqësi diplomatike në këtë vend?

Vendet tona i lidhë para se gjithash orientimi për një rend demokratik me tregun e lirë, përqafimi i të drejtave universale njerëzore të Kartës së Kombeve të Bashkuara. Sa i përket diasporës sonë, siç e potencova edhe më lartë, në të gjitha takimet më përfaqësues të shtetit zviceran por edhe kolegë të misioneve tjera diplomatike është e paevitueshme që gjatë bisedës të mos potencohet diaspora jonë në Zvicër për të cilën na kanë lakmi. Kjo prezencë e madhe e diasporës paraqet një potencial të jashtëzakonshëm dhe mundësi të madhe reale për të hapur shtigje bashkëpunimi dhe lehtësuar në masë të madhe funksionimin edhe të përfaqësimit diplomatik të Kosovës në Zvicer.

Komuniteti Shqiptar (Kosovar) në Zvicër është ndër më të mëdhenjtë në vend. Në të kaluarën e afërt ky komunitet ka pasur probleme me imazhin. Keni përshtypjen se kemi përjetuar një ngritje imazhi vitet e fundit apo si e vlerësoni këtë temë si ambasador i vendit të origjinës së këtij komuniteti?

Shumë stereotipa që kanë ekzistuar nga e kaluara për diasporën tonë tani fatmirësisht janë në rënie, dhe imazhi i diasporës sonë në dekadën e fundit është dukshëm në rritje. Tani së fundi kemi raste edhe gazeta të përditshme me tirazh tejet të madh në Zvicër kanë filluar të shtypen edhe në gjuhën shqipe. Nuk ka javë që nuk gjindet në ballina të revistave, nëpër mediume të ndryshme një storie suksesi për kosovarët në Zvicër. Kjo është së pari meritë e vetë komunitetit tonë në Zvicër, të cilët janë treguar punëtorë, profesionistë dhe falënderues të mëdhenj për mundësinë që iu është dhënë. Sot është bërë edhe e vështirë të numërohen gjitha ato raste individuale me suksese kulminante pa harruar ndonjë. Përfaqësimi i suksesshëm i një kosovari për Zvicrën në Eurovizion, paraqitjet e shkëlqyeshme të futbollistëve për Zvicrën në Kampionatin Europian Euro2020, marrja e çmimit “sipërmarrës i vitit”, pozitat në institucione legjislative dhe ekzekutive, lokale e kantonale, janë vetëm një pjesë e suksesit të mijëra e mijëra vajzave e djemve tanë me origjinë nga Kosova që me angazhimin e tyre po japin kontribut në zhvillimin e vet Zvicrës.

Ju jeni Ambasador i Republikës së Kosovës në Zvicër. Ambasada gjithashtu përfaqëson pjesëtarët e komuniteteve pakicë në Kosovë që jetojnë në Zvicër, gjegjësisht edhe serbët e Kosovës. A e kontaktojnë këta anëtarë ambasadën dhe konsullatën kosovare këtu dhe cilat kanë qenë përvojat tuaja në këtë drejtim?

Ambasada dhe me shërbimin konsullor të saj në Bernë si dhe Konsullata e Përgjithshme në Gjenevë dhe Konsullata në Zürich mision të tyre ndër tjerash kanë shërbimin ndaj komunitetit të Republikës së Kosovës pa marrë parasysh etninë. Sigurisht që në punën e tyre të përditshme, kryhen shërbime nga më të ndryshmet edhe për komunitetet pakicë që janë në Kosovë, por që në Zvicër llogariten si pjesë e diasporës. Edhe qasja e tyre ndaj përfaqësisë së tyre në Zvicër, në këtë rast Ambasadës është shumë pozitive.

Pak a shumë dihet se çfarë eksporton Zvicra në Kosovë dhe në mbarë botën. Por çfarë eksporton Kosova në Zvicër, gjegjësisht a mund të na thoni se cili është vëllimi i eksportit dhe importit të ndërsjellë në dy vendet përkatëse?

Ashtu siç e kam cekur edhe në fillim të mandatit, bashkëpunimi Zvicër-Kosovë në fushën e ekonomisë është njëra nga fushat ku ka hapësirë të fokusohet energjia e punës dhe nga viti në vit po shënojmë rritje të shkëmbimit tregtar Zvicër-Kosovë. Aktualisht Kosova në Zvicër shënon rritje në eksportin e industrisë së drurit dhe atë të shërbimeve, me një potencial në ngritje të vazhdueshme. Jo rastësisht Zvicra është ngritur si investitori i dytë në Kosovë, por edhe është vendi i dytë nga ku shkojnë eksportet më të mëdha të Kosovës. Importet zvicerane nga Kosova, me vlerë 40.6 milionë CHF, janë rritur ndjeshëm në vitin 2020 (+23.5%, madje +36.5% sipas doganave kosovare). Kështu, Zvicra në vitin 2020 ishte renditur në vendin e katërt në mesin e vendeve eksportuese të Kosovës. Sipas të dhënave nga Banka Qendrore e Kosovës në total 545 milionë euro investime direkte kanë shkuar në Kosovë nga Zvicra në periudhën 2008-2020 dhe është vendin e dytë, pas Gjermanisë. Investimet zvicerane në Kosovë kryesisht realizohen nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në sektorët e mëposhtëm: banka dhe sigurime, IT dhe shërbimet offshore, përpunimi i ushqimit, makineri dhe turizëm.

Ju e keni filluar ushtrimin e detyrës së ambasadorit të Kosovës në Zvicër afërsisht në kohën e fillimit të pandemisë, që ende po vazhdon. Kufizimet e shumta që kanë qenë dhe pjesërisht ende janë në fuqi, sa ju kanë penguar të keni një komunikim më të dendur me komunitetin tonë këtu? A keni arritur të keni një pasqyrë të qartë rreth gjendjes së këtij komuniteti?

Sikurse në shumicën e vendeve tjera edhe në Zvicër numri i infektimeve me Covid-19 ka shënuar rritje të mëdha, gjë e cila është manifestuar në masat e qeverisë zvicerane ku në shumicën e periudhës, puna e institucioneve zvicerane ka qenë me modelin “home office” dhe me kufizime të tjera, duke determinuar edhe aktivitetet dhe funksionimin edhe të misioneve diplomatike. Një numër i konsiderueshëm i aktiviteteve të fiksuara më herët, ndërkohë shtyheshin apo anuloheshin në tërësi si rezultat i situatës pandemike. Megjithatë aktivitete dhe takime me pjesëtarë të institucioneve zvicerane, të diasporës janë të përditshme dhe të vazhdueshme, natyrisht duke respektuar masat e parapara nga Enti Federal për Shëndetësi.

Cila është kjo gjendje, aktualisht, gjegjësisht çfarë e preokupon më shumë diasporën kosovare/shqiptare në momentin aktual, sipas jush?

Diaspora jonë kudo që është, në këtë rast në Zvicër përherë ka pasur lidhjen e pashkëputshme me vendin e origjinës, duke bashkëndjerë dhe marrë pjesë aktivisht në gjitha proceset nëpër të cilat kalojnë familjarët e tyre në Kosovë dhe në përgjithësi Kosova. Kjo u dëshmua edhe në verën e vitit të kaluar, kur si rezultat i përmallimit për vendin e tyre, u shënuan shifra rekorde të shkuarjes në Kosovë, rrjedhimisht kontributit financiar për vendin. Prandaj, është një aktivitet i vazhdueshëm paralel i diasporës për tu integruar në shoqërinë zvicerane dhe njëkohësisht për t`i ruajtur traditat dhe lidhjet e tyre me Kosovën. Një ndarje e tillë ne dysh sigurisht që i merr shumë energji dhe preokupim komunitetit tonë. Një gjë duhet të jetë e qartë përgjithmonë: I jemi përjetësisht mirënjohës për kontributin që ka dhënë diaspora për popullin kosovar e shtetin e tyre më të ri në Europë!

Zyrtarisht jeni ambasador i Republikës së Kosovës në Konfederatën e Zvicrës dhe në Principatën e Lihtenshtajnit. Çfarë përfshin kjo pjesa e emërtimit formal për Lihtenshtajnin, gjegjësisht si ushtrohet ky funksion, të themi ”shtesë” ose “jorezidencial” apo si quhet zyrtarisht.

Në teorinë dhe praktikën diplomatike një Ambasador përveç ushtrimit të funksionit në shtetin në të cilin ka akreditim primar, ekziston mundësia edhe për akreditim jorezident në një shtet tjetër. Shumica e homologëve që kam në Bernë, gjithashtu janë të akredituar si përfaqësues të shtetit të tyre edhe në Vaduz që me kompetenca të plota ushtrojnë të gjitha funksionet diplomatike. Vetëm selia është dmth në Bernë, por asgjë tjetër në përfaqësim nuk ndryshon.

A do të organizojë Ambasada e Kosovës në Bernë ndonjë manifestim për nder të Ditës së Pavarësisë, 17 Shkurtit?

Sikurse edhe vitin e kaluar, por edhe këtë vit në prag të Festës së Pavarësisë numrat e infektimeve janë relativisht të larta, gjë e cila padyshim e determinon mënyrën e shënimit të 17 Shkurtit. Përkundër kësaj, sigurisht që do ta shënojmë Ditën e Pavarësisë në mënyrë simbolike, konform masave anti-covid19 dhe pa rrezikuar shëndetin e njerëzve. Ashtu siç na është imponuar gjetja e mënyrave të reja të punës gjatë pandemisë, njëlloj është edhe me mënyrën e festimit të Ditës së Pavarësisë. Gjithashtu shfrytëzoj mundësinë që përmes platformës tuaj albinfo të përcjell mesazhin e urimit të Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës tek lexuesit tuaj dhe tek të gjithë kosovarët dhe miqtë e Kosovës!

Këto shërbime i kryejnë konsullatat e Kosovës në Zvicër

Nga shërbimi konsullor në kuadër të Ambasadës në Bernë që funksionon nga maji i vitit 2011 e deri në fund te vitit 2021 janë lëshuar gjithsej 15.400 pasaporta, 7.200 letërnjoftime e mbi 8.000 certifikata e vërtetime të ndryshme. Konsullata e Përgjithshme në Gjenevë ka lëshuar rreth 20 mijë pasaporta, mbi 10 mijë letërnjoftime e rreth 20 mijë certifikata, vërtetime e shërbime të ndryshme. Nga Konsullata në Zürich (hapur në vitin 2010) që për nga vëllimi i punës është më e ngarkuara, numri i dokumenteve të lëshuara brenda periudhës raportuese është më shumë se 80 mijë. Kërkesat më të mëdha janë për pajisje me letërnjoftime, pasaporta dhe certifikata të Republikës së Kosovës.

Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih

Shembulli i diasporës

Diaspora jonë kudo që është, në këtë rast në Zvicër përherë ka pasur lidhjen e pashkëputshme me vendin e origjinës, duke bashkëndjerë dhe marrë pjesë aktivisht në gjitha proceset nëpër të cilat kalojnë familjarët e tyre në Kosovë dhe në përgjithësi Kosova. Kjo u dëshmua edhe në verën e vitit të kaluar, kur si rezultat i përmallimit për vendin e tyre, u shënuan shifra rekorde të shkuarjes në Kosovë, rrjedhimisht kontributit financiar për vendin.

Investimet nga Zvicra në Kosovë

“Sipas të dhënave nga Banka Qendrore e Kosovës në total 545 milionë euro investime direkte kanë shkuar në Kosovë nga Zvicra në periudhën 2008-2020 dhe është vendin e dytë, pas Gjermanisë. Investimet zvicerane në Kosovë kryesisht realizohen nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në sektorët e mëposhtëm: banka dhe sigurime, IT dhe shërbimet offshore, përpunimi i ushqimit, makineri dhe turizëm”.

TË FUNDIT
1 ditë
Saliu: do lobojmë për votën e diasporës, celjen e konsullatave dhe kurseve të shqipes në gjithë territorin!
2 ditë
Ethet e Europianit sa vjen e po shtohen, fanelat më kërkuara janë nga Zvicra dhe Shqipëria
4 ditë
Kapet kosovari në Zvicër me pasaportë kroate false, punoi si murator
4 ditë
Padova mbështet fuqishëm Muharrem Salihun për Eurodeputet
4 ditë
Fondacioni UBT Jim Xhema shpall thirrje të hapur për bursa për talentët e rinj shqiptarë

ME TE LEXUARA

2 ditë
Ethet e Europianit sa vjen e po shtohen, fanelat më kërkuara janë nga Zvicra dhe Shqipëria
1 ditë
Saliu: do lobojmë për votën e diasporës, celjen e konsullatave dhe kurseve të shqipes në gjithë territorin!

LEXO MË SHUMË

IMG_2338

Saliu: do lobojmë për votën e diasporës, celjen e konsullatave dhe kurseve të shqipes në gjithë territorin!

flamuri kuq e zi dhe zvicra

Ethet e Europianit sa vjen e po shtohen, fanelat më kërkuara janë nga Zvicra dhe Shqipëria

zvicra

Kapet kosovari në Zvicër me pasaportë kroate false, punoi si murator

muharrem salihu mergimtar diaspore padova

Padova mbështet fuqishëm Muharrem Salihun për Eurodeputet

fondacioni Xhim xhema

Fondacioni UBT Jim Xhema shpall thirrje të hapur për bursa për talentët e rinj shqiptarë

mustafe veseli investitor

Veseli: 55 biznesmenë turq të interesuar për investime në Maqedoni, së shpejti në vizitë

novak-gjokovic

LeCanton27: Tenisti serb Gjokoviq i njohur për skandale do luajë në Gjenevë. A do të fyejë 300.000 shqiptarë në Zvicër me provokimet e tija tashmë tradicionale, shovensite dhe raciste

altrim mamuti

Tetovari diplomon në Columbian University në New York me bursë universitare!

adi edi veseli 1

Vëllezërit struganë Adi dhe Eddie Veseli janë një histori suksesi në Amerikë

INFO

NA NDIQ