Si u bë gazetari Furkan Saliu shënjestër e dezinformatave dhe propagandës në media?

Picture of ina-online
ina-online

15/04/2024

Shkruan: AGRON VRANGALLA

Raportimet mediatike në formë objektive dhe të balancuar janë një conditio sine qua non (lat. një kusht pa kushte, i patjetërsueshëm) për gazetarinë profesionale. Mirëpo, në 30 vjet tranzicion, mediat në Maqedoninë e Veriut ende nuk po arrijnë të praktikojnë parimet bazë profesionale që mësohen në vitin e parë të studimeve të gazetarisë. Me apo pa qëllim, të kushtëzuar apo me vullnet të lirë.

Një shembull eklatant që flet për këtë vlerësim të përgjithshëm është raportimi mediatik mbi arrestimin e gazetarit dhe themeluesit të PortalX, Furkan Saliut nga ana e forcave speciale të MPB-së. Arrestimi ndodhi më 7 prill 2024 në fshatin Konjare e Epërme, gjatë një ndeshjeje futbolli, tek sa gazetari ishte në detyrë bashkë me ekipin e tij.

Për shkak të ndikimit të madh që ka gazetari, opinioni publik u çua në këmbë me reagime të shumta që kërkuan lirimin e tij të menjëhershëm. Dhe, kështu edhe ndodhi. Por rasti nuk përfundoi këtu. Gazetari Saliu sot akuzohet nga MPB për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrës.

Thelbi i kësaj analize ka të bëjë me një lumë dezinformatash, gjysmë të vërtetash dhe manipulimesh që u botuan në shumë media, të cilat u bënë transmetues të sulmeve ndaj gazetarit Saliu, kryesisht atyre që buronin nga partia VMRO-DPMNE, e që bënin njollosje të figurës së tij dhe tentuan për t’i dhënë të drejtë me çdo kusht ministrit të brendshëm, Pançe Toshkovski.

Si shembull për këtë, në këtë analizë shtjellohen lajmet e disa portaleve, të cilët duket se janë problematike nga pikëpamja profesionale.

“Veçer” pa burime pohon se gazetari sulmoi një polic dhe dezinformon se i është gjetur armë pa leje

Titulli i lajmit në portalin “Veçer” thotë: “Arrestohet Furkan Saliu, SULMOI NJË POLIC E NË MAKINË KA PASUR PISTOLETË”. Nëse nuk e hapim fare tekstin dhe e shohim vetëm titullin, mjafton për të vënë re se ai është tendencioz.

Së pari, pjesa e parë e titullit “Arrestohet Furkan Saliu” është shkruar me shkronja të vogla, ndërsa pjesa tjetër “SULMOI NJË POLIC E NË MAKINË KA PASUR PISTOLETË” është me shkronja të mëdha. Nga pikëpamja semiotike, kjo nënkupton se pjesa e arrestimit nuk është ndonjë gjë flagrante, ndërsa pjesa me shkronja të mëdha simbolizon alarm, panik, apo “bombë” mediatike. Vendosja e theksit në këtë pjesë të titullit është e njëanshme, por edhe vetë titulli është prejudikues, për të mos thënë manipulues. Aty konstatohet se gazetari ka sulmuar një polic dhe është gjetur një armë, duke bërë një përbashkim në mes këtyre dy momenteve, që në të vërtetë nuk është ashtu.

Shtrohet pyetja, nga e konstatoi “Veçer” se ka pasur sulm ndaj policit? Vetë teksti i lajmit nuk jep burim konkret apo fakte për atë që është shkruar në titull, duke thënë shprehimisht: “Jozyrtarisht, deri te arrestimi erdhi pasi ka sulmuar person zyrtar…”. Domethënë, lajmi nuk bazohet në burime zyrtare dhe nuk është i verifikuar. Për të rikujtuar, një lajm është i balancuar kur ka së paku dy burime të pavarura njëri nga tjetri, e s’është fare lajm nëse nuk ka asnjë burim. Ky lajm këtu, nuk ka asnjë burim, përveçse kur i referohet portalit 4NEWS.mk, nga ku e ka huazuar lajmin, që paraqet indicie për tentim të mundshëm për manipulim me opinionin publik.

Mirëpo, autori i lajmit nuk është mjaftuar me këtë dhe shkon edhe një hap më tej, duke thënë së në makinën e gazetarit “është gjetur edhe pistoletë për të cilën nuk ka leje për mbajtje”. Ky pretendim është dezinformatë. Asnjë nga burimet relevante, përfshirë edhe MPB-në, nuk kanë konstatuar një gjë të tillë, përkundrazi, u dëshmua se arma e gjetur është me leje.

Foto: Lajmi nga portali “Veçer”: “Arrestohet Furkan Saliu, sulmoi një polic e në makinë ka pasur pistoletë”
Foto: Lajmi nga portali “Veçer”: “Arrestohet Furkan Saliu, sulmoi një polic e në makinë ka pasur pistoletë”
VMRO-DPMNE akuzon me të pavërteta dhe manipulime, mediat transmetojnë pa i verifikuar dhe pa qëndrim të palës së dytë

Edhe teksti me titull: “Furkan Saliu ka pranuar vetë se ka mbajtur pistoletë dhe se ka kontribuar në përshkallëzimin e ngjarjeve, pse tani SDS nuk mendon se sulmi ndaj një polici nuk është sulm ndaj shtetit”, pyet VMRO-DPMNE” i botuar nga portali Makfaks, transmeton qëndrime të VMRO-DPMNE për rastin që janë spine apo manipulime mediatike, si dhe pretendime të pavërteta.

Foto 2, makfax.mk: “Vetë Furkan Saliu e ka pranuar se mbante pistoletë dhe se ka kontribuar në përshkallëzimin e ngjarjeve, pse tani SDS nuk mendon se sulmi ndaj një polici nuk është sulm ndaj shtetit”, pyet VMRO-DPMNE”
Foto 2, makfax.mk: “Vetë Furkan Saliu e ka pranuar se mbante pistoletë dhe se ka kontribuar në përshkallëzimin e ngjarjeve, pse tani SDS nuk mendon se sulmi ndaj një polici nuk është sulm ndaj shtetit”, pyet VMRO-DPMNE”
E pavërteta në këtë rast është kur thuhet se: “Furkan Saliu e ka pranuar vetë se mbante armë dhe se ka kontribuar në përshkallëzimin e ngjarjeve…”. Në të vërtetë, gazetari ka pranuar se arma e gjetur në veturë është e tij, por jo se “ka mbajtur pistoletë”, siç sugjerohet në titull.

Po ashtu, në asnjë moment nuk ka pasur një “pranim” nga ana e Saliut se ai vetë “ka kontribuar në përshkallëzimin e ngjarjeve”. Në fakt, kumtesa e VMRO-DPMNE-së e transmetuar në media manipulon me qëndrimin e botuar në FB faqen e PortaliX, ku transmetohet prononcimi “Më vjen keq që me sjelljen time ndoshta kam ndikuar që situata të eskalojë që në fund të përfundoj në pranga”, që assesi nuk është “pranim” i gazetarit se “ka kontribuar në përshkallëzimin e ngjarjeve”.

I ngjashëm me këtë edhe lajmi në uebfaqen e Televizionit Kanal 5. Titulli i lajmit “VMRO-DPMNE: Furkan Saliu pranoi vetë se ka mbajtur armë dhe se ka kontribuar në eskalim” është thjeshtë transmetim i një të pavërtete dhe manipulimi që e plason VMRO-DPMNE në publik dhe që mediat e marrin sikur të jetë e padiskutueshme, dhe së dyti, pa marrë një prononcim nga pala e akuzuar.

Foto 3, lajmi në Kanal 5: “VMRO-DPMNE: Furkan Saliu e ka pranuar vetë se mbante armë dhe se ka kontribuar për eskalim”
Foto 3, lajmi në Kanal 5: “VMRO-DPMNE: Furkan Saliu e ka pranuar vetë se mbante armë dhe se ka kontribuar për eskalim”

Duke ditur se partitë mund të përhapin të pavërteta apo lajme të rreme, mediat nuk duhet të marrin çdo lloj akuze që vjen nga ndonjë parti apo institucion pa i vërtetuar faktet. Për t’i ikur dilemave, redaksia e këtij portali do të duhej të kërkonte një qëndrim nga pala e akuzuar, gjë që nuk e ka bërë.

Si u bë që akuza për “sulm ndaj zyrtarit policor” u shndërrua në “pengim në kryerje të detyrës”?

Sa i përket lajmit të publikuar nga portali kurir.mk me titull “Toshkovski pas arrestimit të Furkan Saliut: MPB duhet të reagojë njësoj ndaj çdokujt që sulmon zyrtar policor”, situata është pak më komplekse. I gjithë teksti buron nga Fejsbuk statusi i ministrit të Brendshëm. Edhe pse në mënyrë të njëanshme, lajmi është shkruar në mënyrë korrekte, pa përdorur cilësime apo degradim të palës së akuzuar.

Mirëpo, këtu kemi një problem tjetër. Është vetë prononcimi i ministrit, i cili lidhur me ndalimin e personit F..S nga Shkupi, e informon opinionin se i njëjti është “pasojë e sulmit të kryer mbi zyrtarë policorë” gjë që është e dënueshme sipas nenit 383 të Kodit Penal. Për këtë gjë, ministri deklaroi se posedon video që i është dorëzuar në zyrën e tij. Ky pretendim i ministrit, i pambështetur me prova konkrete, u transmetua në mënyrë jokritike jo vetëm nga Kurir-i, por edhe nga shume media tjera.

Foto 4, lajmi në kurir.mk: “Toshkovski pas arrestimit të Furkan Saliut: MPB duhet të reagojë njësoj ndaj çdokujt që sulmon zyrtarin policor”
Foto 4, lajmi në kurir.mk: “Toshkovski pas arrestimit të Furkan Saliut: MPB duhet të reagojë njësoj ndaj çdokujt që sulmon zyrtarin policor”

Mirëpo, siç informuan mediat disa ditë më vonë, MPB ka bërë kallëzim penal ndaj Saliut jo për sulm të kryer mbi zyrtar policor, por “për pengim të personit zyrtar në kryerjen e veprimit zyrtar sipas nenit 382 të Kodit Penal”, që nuk është gjë e njëjtë.

Përveç kësaj, një ditë pas arrestimit të gazetarit, ministri gjatë vizitës së stacionit policor në Shuto Orizare u prononcua për mediat gjerësisht për rastin, ndërsa gjatë takimit me gazetarët ishte i pranishëm edhe Furkan Saliu. Ky i fundit, në Facebook-un e tij publikoi video nga ky takim, ku shihet se si i kërkon ministrit t’i kërkojë falje nëse nuk është e vërtetë se ai ka sulmuar një polic. Me këtë rast ministri thotë se nëse kjo nuk është e vërtetë, do t’i kërkojë falje personalisht gazetarit.

Tani, këtu vijmë në një moment delikat. Ministri shprehet i sigurt se gazetari ka sulmuar një polic dhe thotë se për këtë ka video-dëshmi. Mirëpo, ky pretendim ngre disa pyetje logjike dhe legjitime:

Përse ministri pretendoi se gazetari ka sulmuar zyrtarë policorë, e kallëzimi penal i ngritur nga MPB në Prokurori nuk është për sulm, por për pengim në kryerje të detyrës?

Përse ministri nuk e ka publikuar videon siç ka bërë për shembull gazetari, duke publikuar videot që posedon për rastin?

Përse ministri, në një situatë të tillë të paqartë, nuk merr vendim për të shuar kureshtjen e opinionit, duke na treguar dëshmi se gazetari me të vërtetë ka sulmuar ndonjë polic, apo se ka penguar policin që të kryejë detyrën e tij?

Jemi dëshmitarë se policia ka ditur të publikojë video-dëshmi gjatë aksioneve të ndryshme policore. Flitet për një rast publik që ka ndodhur në një hapësirë publike. Është një aksion policor që nuk ka pse të mos publikohet. Mbase ministri e ruan këtë dëshmi (nëse vërtetë posedon një të tillë) për ta publikuar në gjykatë. Por le ta marrim si të mirëqenë se ka dëshmi për sulm fizik ndaj zyrtarit të policisë. A nuk do të ishte më e udhës që ministri të mos dilte me konstatime të tilla, pa ofruar dëshmi konkrete? Dhe, mediat të mos vrapojnë për të publikuar cilësime të tilla pa pasur fakte për këtë?

Arsyeja përse shtrohen këto pyetje është fakti se Ministria e Brendshme nuk është organ hetuesie dhe nuk mund të japë konstatime a ka pasur apo jo sulm fizik ndaj dikujt. Këto konstatime i sjell gjykata. Në këtë drejtim, nuk janë korrekte as lajmet që botuan këso konstatimesh, pavarësisht bindjes së plotë të ministrit Toshkovski për atë çka ai pretendon.

Çfarë thotë Kodi etik i gazetarëve për përmbajtjet e tilla në media?

Këto shembuj që u morën, janë në kundërshtim me disa dispozita të Kodit Etik të Gazetarëve:

…Gazetari duhet të botojë informata të sakta dhe të provuara dhe nuk do të fshehë të dhëna esenciale dhe të falsifikojë dokumente. Nëse informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet të thuhet dhe të publikohet. Saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur.

Mënyra e informimit në raste të fatkeqësive, katastrofave natyrore, luftërave, tragjedive familjare, sëmundjeve, proceseve gjyqësore duhet të jenë të çliruara nga senzacionalizmi. Në proceset gjyqësore duhet të respektohet parimi i pafajsisë, të raportohet për të gjitha palët e përfshira në kontest dhe të mos sugjerohet vendimi.

Gazetari me vetëdije nuk do të krijojë ose përpunojë informata, që cënojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, nuk do të përdorë gjuhën e urrejtjes dhe nuk do të nxisë dhunë ose diskriminim mbi çfarëdo lloj baze qoftë (kombëtare, fetare, racore, gjinore, shoqërore, gjuhësore, politike, orientimi seksual…)

Guteresh reagoi për akuzat e pabaza dhe sulmet e vazhdueshme për njollosje të gazetarit Saliu

Për rastin e arrestimit të gazetarit Saliu pati reagime të shumta të shoqatave dhe organizatave vendase dhe ndërkombëtare të mediave dhe gazetarëve. “Kjo nuk tolerohet më! Jam jashtëzakonisht i shqetësuar për sulmet e vazhdueshme ndaj gazetarit të pavarur dhe themeluesit të PortalX, Furkan Saliu, në Maqedoninë e Veriut”, thuhet në reagimin e sekretarit gjeneral të Federatës Evropiane të Gazetarëve, Rikardo Gutereshit të publikuar në rrjetin social Fejsbuk.

Guteresh theksoi se gazetari Saliu është arrestuar në mënyrë arbitrare para disa ditësh, pasi u përpoq të dokumentonte dhunën e policisë në një ndeshje futbolli, dhe se gjatë ndalimit të tij “mediat dhe profilet propagandistike në rrjetet sociale u përpoqën shpejt, por dështuan të krijojnë narrative të rreme për arsyet e arrestimit të tij, përfshirë akuzat e pabaza se ai ka sulmuar policë. Përveç kësaj, disa ministra të qeverisë u përpoqën po ashtu të njollosin reputacionin e Saliut”, shkruan Gutereshi.

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punëtorëve të Medias reaguan menjëherë pas arrestimit duke kërkuar lirimin e tij të menjëhershëm, e pas kallëzimit penal nga MPB, kërkuan nga Prokuroria që të hedhë poshtë akuzën e pabazë. Edhe Instituti për Media dhe Analitikë (IMA) kërkoi nga Avokati i Popullit të nisë procedurë me vetiniciativë për ligjshmërinë e procedurës policore ndaj gazetarit Furkan Saliu.

Gjithashtu, pati reagime të ashpra nga Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe të Mediave (ECPMF). Rasti është evidentuar si incident parazgjedhor për presion ndaj lirisë së shtypit edhe nga qendra në Shkup e OSBE-ODIHR.

Përndryshe, organizatat e njohura ndërkombëtare si Freedom House, Federata Evropiane e Gazetarëve dhe Reporterët pa Kufij, në vazhdimësi bëjnë matje për lirinë e mediave në vende të ndryshme të botës, dhe konstatojnë se gazetarët janë cak i sulmeve verbale, por edhe i presioneve të ndryshme që vijnë edhe nga institucione shtetërore. Në raportin e sivjetshëm “Kombet në tranzicion” të Freedom House, në pjesën për Maqedoninë e Veriut, theksohet se “Gazetarët, veçanërisht ata që raportojnë për korrupsion dhe abuzim të pushtetit, vazhdojnë të përballen me maltretime dhe sfida të tjera”.

Edhe Reporterët pa Kufij në Indeksin e fundit për lirinë e mediave theksuan se përhapja e gjerë e dezinformatave dhe mungesa e profesionalizmit kontribuojnë në rënien e besimit të shoqërisë në media, gjë që ekspozon mediat e pavarura ndaj kërcënimeve dhe sulmeve. Për më tepër, zyrtarët qeveritarë priren të kenë qëndrime të dobëta dhe nënçmuese ndaj gazetarëve. “Gazetarët janë rregullisht cak i sulmeve verbale. Nën pretekstin e mbrojtjes së sekreteve shtetërore dhe të të dhënave personale, ata mund të ekspozohen ndaj presionit ligjor dhe ndjekjes penale abuzive”, shkruan në raportin për Maqedoninë e Veriut të Reporterëve pa Kufij.

Ngjarja e fundit dhe vlerësimet e organizatave relevante mediatike flasin për një nevojë të menjëhershme për reformim rrënjësor në këtë sferë, sepse një shtet pa media të lira, nuk mund dhe nuk ka se si të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian, që në esencë është synimi më i madh që kemi.

Autori Agron Vrangalla është asistent/profesor në Katedrën Media dhe Komunikim Ndërkulturor në Universitetin “Nënë Tereza” dhe doktorant në Fakultetin e Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit në “Universitetin e Evropës Juglindore”

Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut

TË FUNDIT
52 minuta
Ahmeti dhe BDI ranë në kurthin e vet
2 ditë
SHQIPTARËT PËRBALLË LOJËRAVE POLITIKE MAQEDONASE!
2 ditë
Opinion përciptas mbi debatet shterpe kolerike
2 ditë
Zgjedhjet presidenciale të 24 prillit, shqiptarët e ndarë, si shkuan votat...
2 ditë
Po vijnë komitët?

ME TE LEXUARA

52 minuta
Ahmeti dhe BDI ranë në kurthin e vet

LEXO MË SHUMË

fatos rushiti

Ahmeti dhe BDI ranë në kurthin e vet

dijana toska

SHQIPTARËT PËRBALLË LOJËRAVE POLITIKE MAQEDONASE!

sulejman rushiti

Opinion përciptas mbi debatet shterpe kolerike

bujar-osmani-arben-taraavari

Zgjedhjet presidenciale të 24 prillit, shqiptarët e ndarë, si shkuan votat…

medai-shaholli

Po vijnë komitët?

Faton Halili

TRYEZA E TIRANËS SË FAMËSHME DUHET TË RIAKTUALIZOHET

vucic okb

Pse u “çakordua” Presidenti Aleksandër Vuçiq në OKB?!

azbi-nuredini

VLEN do të jetë gardian i mbrojtjes së interesave të shqiptarëve në qeverinë e re!

KALOSH-CELIKU

BETEJA POLITIKE E 8 MAJIT

INFO

NA NDIQ