shkruan: Muhamer Pajaziti
Në media qarkulluan disa lajme se KFOR-i do të pengojë shkuarjen e Policisë së Kosovë në Veri të vendit.
Nëse është kjo tendencë, atëherë përbën një shkelje të rëndë të sovranitetit të Republikës së Kosovës dhe e gjithë kjo, për hirë të deeskalimit të situatës.
Në këto raste ky territor do të shpallej si terra nullius – si një tokë e askujtë, një praktikë e njohur e ligjeve koloniale të së kaluarës.
Këtë e paralajmëroi edhe kryeministri shqiptar Edi Rama në deklaratë e tij për zhvillimet e fundit në Kosovë.
“E atëherë lamtumirë për kushedi sa kohë edhe kontrollit formal të shtetit mbi krejt territorin dhe ta gëzojmë një Republikë të KFORit në Veriun e Kosovës! Albin dil nga guacka e vetizolimit dhe mos e humb Veriun duke parë kudo armiq e tradhëtarë! Koha është tani dhe po fluturon”!”, u shpreh kryeministri Edi Rama.
Disa territore dikur ishin në gjendje të fitoheshin ligjërisht. Në atë kohë, asnjë shtet nuk i kontrollonte ato.
Në epokat e mëparshme koloniale, kur disa territore nuk kontrolloheshin nga askush ato shpalleshin si terra nullius. Ato karakterizoheshin lehtësisht si të asnjë kombi, por me një mundësi për t’u fituar ligjërisht nga fuqitë koloniale.
Nëse ndodhë kjo, është një gabim i madh, sepse Kosova e ka shpallur pavarësinë në gjithë territorin e saj, ku edhe duhet ta shtrij sovranitetin.
Shtetet kanë të drejtën për të kontrolluar tokën që ndodhet brenda kufijve të tyre territorial. Shtrirja e këtij sovraniteti zakonisht përcaktohet nga kufijtë ujor, malet dhe kufijtë dhe barrierat e tjera natyrore.
Për hirë të bandave kriminele serbe, nuk duhet të thyejmë parime dhe rregulla të së drejtës vendore, por edhe ndërkombëtare, sepse mund të përkeqësohet akoma më shumë situata dhe të ndizet një vatër e re lufte në këtë rajon. Jemi në shekullin 21 dhe s’mund të kthehemi në të kaluarën e largët, për hirë të presidenti serb, autokrat.