Gjurmë të Kaçakëve të Kërçovës

INA
INA

12/03/2024

Lazam Dan Ҫeliku, lindi në vitin 1882 në lagjen Çelike të fshatit Zajaz, në një familje bujare dhe shumë trime, e cila brez pas brezi luftoi kundër okupatorëve turq, bullgarë, serb dhe së fundi edhe partizanëve të Titos.

Historikisht, dhanë shumë dëshmorë, por luftën kurrë se ndalën, duke ua bërë me dije pushtuesve se, pa e harxhuar edhe fishekun e fundit, nuk do të dorëzohemi si kaçakë të maleve. I pari nga kjo familje, i cili dha jetën në mbrojtje të Trojeve Etnike Shqiptare, ishte gjyshi i Kalosh dhe Lazam Danit, trimi sypatrembur Fazli Dan Çeliku, i cili ra dëshmor në fushë të mejdanit gjatë Luftës së Sopit, në vitin 1844, në luftë kundër Hajredin Pashës.

Luftën më vonë e vazhdoi djali i tij Dan Çeliku, i cili ra dëshmor në vitin 1903, në luftën e Karbunicës në fushën e Gjurgjejcës, në jug-lindje të Kërçovës të udhëhequr nga Sefer Zajazi, ku Dan Çeliku ishte zëvendës komandant i tij. Në këte luftë së bashku me babain e tij mori pjesë edhe djali i Dan Çelikut, vëllai i Lazam Danit, Kalosh Dan Çeliku.

Rrugën e tyre e ndoqën edhe djemtë e Dan Çelikut Kalosh e Lazam Dani, kundër hordhive serbe gjatë Mbretërisë serbo-kroate-sllovene. Kohë, kur trojet shqiptare masakroheshin, digjeshin nga hordhitë barbare serbe të ndihmuara edhe nga të krishterët vendas. Populli shqiptarë më rrëfente gjyshi im Emin Çeliku, hiqte të zezat e të zezave nga barbarët serb, vriteshin burra, gra e fëmijë e ndizeshin shtëpi, çdo gjë shëndrrohej në shkrumb e hi. Shumë fshatra u rrafshuan me tokën, u zhdukën përgjithmonë, sikur i përbiu toka.

Sot, në vend të shtëpive hasë vetëm gërmadha, e rrallë ka mbetur ndonjë murë shtëpie, edhe atë: gati rrafsh me tokën. Shqiptarët e Kërçovës më rrëfente gjyshi, nuk ndejtën këmbë-kryq, ndaj këtij zullumi, kapën armët për të mbrojtur Trojet e tyre Etnike, të trashëguara nga të parët. Ndër këta trima, më rrëfente gjyshi ishin edhe vëllezërit Kalosh e Lazam Dani nga Zajazi. Djemtë e Dan Çelikut, trimit i cili ra dëshmorë gjatë vitit 1903, në Karbunicë, në luftë kundër komitave bullgarë, nën udhëheqjen e vojvodës nga fshati Kozicë afër Cerit, Jordan Piperkës.

Unë në këtë tekst historik do të koncentrohem më së shumti, për kontributin që dha për të mbrojtë popullin shqiptarë nga hordhitë serbe, djalin e Dan Çelikut, Lazam Danin. Ky trim sypatrmbur nga Zajazi më rrëfente gjyshi, kurrë nuk iu nda vëllait të tij Kalosh Danit, i ndejti pranë deri në ditën e vdekjes në vitin 1926, te burimi i ujit për pije në fshatin Krap, në vendin e quajtur Barbaras, komuna e Makedonski Brodit. Këto trima më rrëfente gjyshi, ndiqeshin këmba këmbës nga ushtria e policia serbe, u viheshin prita për t’i vrarë, por nuk ia arritën qëllimit, me fjalë të tjera ishin të pa kapshëm për serbin. Për kokat e tyre jepeshin para të majme, ku përmendeshin shumat prej 1000 – 1200 dinarë serbi, sigurisht të vlefshme në atë kohë, por trimat edhe pse kalonin shpesh kufirin nga Maqedonia në Shqipëri, ku në fshatin Kurdari të Burrelit posedonin shtëpi dhe tokë punuese. Në këtë fshat ato jetonin me familjarët e vet, dhe shpesh në shtëpinë e tyre për musafirë kishin edhe trimat nga Kosova, Bajram Currin, Hasan Prishtinën, Azem Galicën me Shotë Galicën. Shpesh në shtëpinë e tyre vinte edhe trimi i Dibrës, Elez Isufi, për trimëritë e tia nuk duhet folur shumë, sepse: ai ishte i njohur kudo ndër shqiptarë. Gjatë vitit 1922, Lazam Dani së bashku me vëllain e tij Kaloshin, morri pjesë në Luftën e Bukuqonit, ku trimat e Zajazit të ndihmuar edhe nga shumë dibranë, ishin të rrethuar nga ushtria dhe xhandermëria serbe e ndihmuar edhe nga disa mercenarë vendas shqiptarë nga Zajazi, në mesin e të cilëve ishin edhe Abidin Vojvoda dhe Rexhë Rushit Zajazi. Abidin Vojvoda më rrëfente gjyshi, i drejtohet Kalosh Danit dhe vëllaut Lazamit me fjalët: ,,Hajde bre Kalosh, tej dorëzomu mou, se s’ke mymqymin me shpëtou, neve askeri serbit të gjithëve na ka rrethou”. Me të dëgjuar këto fjalë kërcënimi, rrëfente gjyshi, Kalosh Dani i përgjigjet me një të shtënë pushke, e duke e goditur tradhëtarin, mercenarin me një plumb në lulë të ballit, dhe duke e përcjellur atë në botën tjetër. Kur shohin serbët se, si mbaroi mercenari shqiptar, dhe viktimat tjerë serbe, lëshojnë rrethimin e duke ikur kah sytë – këmbët, më tregonte gjyshi. Por, në këtë betejë plagoset rëndë në krahun e djathtë edhe vëllai i tij Lazami. Pasi, aso kohe në Kërçovë nuk kishte mjekë të mirë për këto plagë, me ndihmën e vëllezërve kosovarë, e në radhë të parë Bajram Currit dhe Hasan Prishtinës, Lazamin për shërim dhe operim e dërgojnë së pari në Vienë të Austrisë. E pastaj në Paris të Francës, ku shërohet dhe pas gjashtë muajve këthehet në Kurdare të Burrelit në Shqipëri. Dhe, përsëri i bashkangjitet vëllait të tij Kaloshit, në luftë kundër pushtuesit serb.

Gjatë Revolucionit demokratik të udhëhequr nga Fan Stylian Noli, vëllezërit Dani rradhiten në radhët e tij, së bashku me Bajram Currin, Hasan Prishtinën, Elez Isufin e të tjerë në mbrojtje dhe përkrahje të Qeverisë së Nolit, e cila nuk pati jetë të gjatë, por lufta vazhdoi me vite. Miqësia e familjes së Kalosh e Lazam Danit me Bajram Currin, Hasan Prishtinën, Elez Isufin e disa të tjerëve më rrëfente gjyshi ka vazhduar gjatë kohë, për deri sa u likuiduan një nga një nga dora gjakatare e porositur nga mbreti Zog në bashkëpunim me atë serb. Vëllezërit Dani u ndihmuan edhe nga shumë kaçakë jo vetëm nga Kërçova por edhe nga Dibra, e Reka e Epërme, duke dëbuar serbët deri në malet e Manastirit, por viti 1926 për ata ishte vit tragjik, ku u vranë në pabesi. Për vrasjen e tyre gjyshi përmendëte dy versione të folura në popull. Versioni i parë thoshte gjyshi ishte se, kinëse jatakut të tyre në një fshat të Krushevës me emrin Drenovë, serbët ia kishin burgosur djalin, e vëllezërit dhe dy dibranë i kishin shkuar në ndihmë që të lërojnë atë nga burgu. Kur arrijnë te një burim uji për të pirë ujë, Kaloshi u thotë atyre që ata të parët të pinë ujë, por dibranët thonë se, kjo punë nuk bëhet kështu, se ata nuk dalin para komandantit të tyre. Vëllezërit Dani lënë pushkët pranë, dhe fillojnë të pinë ujë. E, dibranët Beqir Marku dhe ai tjetri po me mbiemrin Marku, shfrytëzojnë rastin dhe gjuajnë me pushkët e tyre, duke lënë të vdekur Kaloshin dhe plagosur rëndë Lazamin, i cili ende i nxehtë kap pushkën dhe vret Beqir Markun, dhe e plagos atë dibranin tjetër i cili ik për në pyll, pastaj bie në dorë të serbëve. Edhe sot e kësaj dite, nuk u dihen varret.

Trimave të Zajazit, populli u thuri edhe këngë, të cilat këndoheshin nëpër konakë të burrave gjatë dasmave. Po paraqesim më poshtë një këngë të tillë patriotike:

Trimat e Zajazit

Hej, mun ke çeshmja more na u bo nëmi,

Hajde ke liftonte ene, ej more Kalosh Dani.

Abidinit- ej na i çon selam -e,

Hajde Abidin ore nji çaush i ri, ene,

Mun ke Gara ene, na ka vou pusejë!

Hajde mun ke gara në atë përrou,

Me Kaloshin, ej more me liftou!

Kjo manxerrja e Kaloshit, more veç kërset,

Sa herë qetë, more nga dy komita na i vret.

Vëlla Lazamin trejmi, more na e thërret:

Hajde çu bone more tej vëlla Lazam?

Se shumë komita vëlla bre i kamë vra

Hajde njonin turk, e ata tjerët shka.

E, shumë komita tjerë i kam zënë të gjallë…

Dhe, së fundëmi mund të themi, se: vepra e tyre atdhetare nuk do të harrohet kurrë nga kërçovarët. Iu qoftë toka e lehtë mbi varre!…

TË FUNDIT

ME TE LEXUARA

LEXO MË SHUMË

UT Universiteti tetoves

UT me 13 fakultete dhe 98 programe studimore

halil kastrati

Sërish buzëqeshje në Shkup, familja 5 anëtarëshe po bëhet me shtëpi të re!

librat-780x439

Sot Dita Ndërkombëtare e Librit

lindita ahmeti

ITSHKSH përkujtoi studiuesen Lindita Ahmeti

mira murati

Mira Murati bëhet zyrtarisht pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

IMG_1365

VIDEO/ Ministrja serbe e Kulturës lëshon sallën pasi Kosova merr çmim në Biennalen e Venedikut

karnavalet ilire bozovc

Karnavalet Ilire në Bozovcë të Tetovës. Mehmedi: Të kujtojmë të kaluarën dhe traditën e këtij karnevali

filmi-Dita-e-Gruas-Musa-Ismail

Filmi “Biznesi i kënaqësisë” fitoi çmimin e filmit më të mirë artistik në “Riverside Film Festival” në Kaliforni të SHBA-ve

komedi kushtrim qerimi avni shkodra sopi

Një Stand Up Comedy e veçantë në Kumanovë (Foto)

INFO

NA NDIQ