Shefi i diplomacisë, Bujar Osmani, sot ka qëndruar për vizitë në Sofje, ku përpos takimit me shefin e diplomacisë bullgare, Nikolai Milkov, ai ka vizituar edhe Hristijan Pendikovin, qytetarin e deklaruar si bullgar, që ditë më parë ishte rrahur brutalisht në Ohër dhe nga plagët e rënda autoritetet bullgare e morën në Sofje për trajtim mjekësor.
Osmani i shoqëruar nga nikoqiri bullgar ka dërguar mesazh të qartë për të gjithë politikanët bullgarë se fyerja, mohimi apo poshtërimi i popullit maqedonas nuk do të tolerohet.
“Ne nuk do të lejojmë mohimin e komunitetit bullgar në Maqedoninë e Veriut, por nuk do të lejojmë as mohimin e popullit maqedonas dhe prandaj dua të dërgoj një mesazh që edhe ato provokime të ndalen. Pra, çdo ardhje në Maqedoni me qëllim të fyerjes së popullit maqedonas, mohimit të popullit maqedonas, do të duhet ta trajtojmë seriozisht dhe kjo duhet të jetë ardhja e fundit në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, tha Osmani. (INA)