PIKËLLIMI PËR HËNËN MBI ÇAMËRI

Picture of INA
INA

10/06/2023

Shkëlzen Halimi

për ta qetësuar dhimbjen
sërish më vjen ajo
me hijen që lëviz
prapa territ që mbulon kujtimin
me dorën e padukshme
në dhomën e mbyllur
më thahen kujtimet
e viteve shkretëtirë
ylli që iku nga syri yt
ma vizaton rrugën drejt teje
kur vjeshta mbuloi
pamjet verore të Van Gogut
në derën e zemrës sate
trokiti zymtësia
dhe të mbuloi pikëllimi
për hënën mbi Çamëri
mbi shtëpinë e harruar
me një pllakë mermeri
mbi tregimet plot trishtim
për njerëzit e harruar
që kishin një kore bukë
një grusht krip
dhe zemër të lodhur
e dashur
një zë nga errësira më tha
do të mbytesh në moçalin e vetmisë
dil nga aty dhe fshihu
në kohën e humbur
në mjegullën e lëshuar
mbi Çamëri
do të dalë nga balada
e strehuar në lashtësi
do të përbirohet
korridoreve të historisë
për të arritur te dita e jonë
e lodhur nga pritja
e verbuar nga drita e zjarrit
që kishte mbuluar trupat tanë
dhe kur një ditë
arkeologët do të gërmojnë
në shpirtrat tanë
do ta zbulojnë pllakën prej mermeri
që mbulon dhimbjen për Çamërinë
dhe lotët e nënës që mbetën atje
pas nëntë maleve
pas ëndrrave të shuara
bashkë me yjet
shiu i vjeshtës sonë shpërlan pikëllimin
varur në degët e ftohur të fëmijërisë
e bëhesh kujtim mbyllur me dry
pikëllim në fund të arkës
mbushur me mall
t’i mbyllim frëngjitë e ëndrrave trishtim
dhe të zbresim shkallëve
të jetës plot me kthesa
e të arrijmë te fati i Çamërisë
mbi oxhakun e vjetër
nën çerdhen e zogut të humbur
është zbehur harta e shpirtit
dhe trishtimi
shtrojë me blozë
për udhëtarët e humbur
rrugës që çon atje
në ëndrrën e ngrysur
për Çamërinë e strehuar
në kujtimin e balsamosur
pëllumb i përgjakur
në qiellin e errësuar
i braktisur në ditë feste
valle e ndërprerë
krushq të dehur
nuse me fustan
korb të zi
thanë
ishte një natë pa hënë
me mallkimin hije
që zvarritej drejt Çamërisë
s’e ndjen trupin
as dhimbjen e gjymtyrëve
as frymëmarrjen që të mungon
ndoshta edhe s’je
kujtim në kohët e harruar
e të strehojmë
në kasollen e mallit
atje ku thahesh
nga pikëllimi për
Çamërinë
e të dridhet zemra
si trumcakut të lagur
në vjeshtën e vonë
akoma dënes
në ëndrrën tonë
që endet midis
largësisë humnerë
ti qan në bregun tjetër
unë të pres këtej
me dhimbjen
që s’më ndahet si hija
kur hëna është e plotë
akoma e dëgjoj pëshpëritjen
një jetë të dua Çamëri
e s’gjej fjalë të të them
se je më shumë se dhimbje
digjem dhe bëhem pluhur
në urnën që derdhet
në lumin e kohës
mermer i skalitur
me një emër
që s’më lë të vdes
as në moshë të thyer
Çamëri
e dashur
më nxjerr nga këto grila
të mbyllura me dry
si dru i njomë
në pyllin e djegur
nga dhimbja
për Çamërinë
atje tek e mbulon
vetmia e hënës
nuk lodhet kurrë
duke udhëtuar ditë e natë
duke e përplasur
nëpër shkëmbinj
duke rënë nga lartësitë
as plagoset
as përgjaket
është lumi
lumi i dhimbjes sime
do të na marrin
valët e shqetësimit
dhe do të na përplasin
brigjeve të jetës
asnjëherë s’do të dalim tej fatit
duke qepur pullën e fundit
për ta mbërthyer vjeshtën
e shpirtit tonë
qajnë pamjet e harruara
sa herë hapet dritarja e zemrës
qajnë kujtimet e ngurosura
në pllakat e mermerit
mbi varret ku derdhet
muzika e përmortshme
e heshtjes
derë e harruar
digjet në vetminë çame
si në turrën flakë
nata sërish zbret mbi pagjumësinë
dhe vuan shekulli i braktisur
diku në pamundësinë e strehuar
skutave me lagështi
e dashur
është shterë edhe zëri ynë
i dikurshëm
dhe jemi rrugës
për t’u bërë kufoma të gjalla
mbuluar me qefin Çamërie

TË FUNDIT

Taravari: Pse gëzohen këta të BDI-së që gjykata ia dha vulat Selës? (Video)

Zoti Mickovski, zgjidh problemet me Bullgarinë dhe mos provoko Shqipërinë!

Tensionet mes Gjestit dhe Eglit thellohen edhe më shumë, çfarë ndodhi mbrëmë mes tyre (VIDEO)

Kishte ndërruar identitet, shtetasi i Maqedonisë arrestohet në Aeroportin e Gjenevës! Ja për çfarë kërkohej

Ndahet nga jeta diplomati Shaban Murati

Oda ekonomike e tregtarëve me shumicë dhe pakicë në takim me ministrin e ekonomisë

ME TE LEXUARA

1

LEXO MË SHUMË