“Para 100 ditësh vendi ishte i paralizuar dhe është e pamohueshme që tani është në një gjendje shumë më të mirë se 100 ditë më parë. Me krenari mund të them se po ecën përpara”, theksoi kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, në fjalimin e tij me rastin e 100 ditëve nga hyrja e ASh-së në Qeveri.
Ai theksoi se llogaridhënia dhe transparenca janë në rend të parë, përcjell INA.
“Çdo zyrtari të Aleancës për Shqiptarët çdo ditë i kërkoj rezultate dhe zero tolerancë për korrupsionin. Që nga fillimi i menaxhimit tonë me Ministrinë e Drejtësisë, ne kemi ndërmarrë një sërë aktivitetesh për të rritur besimin e qytetarëve tek gjyqësori. Nëpërmjet Ministrisë së Shoqërisë Informative dhe Administratës do të vendosim një pikë ku do të ofrohen 182 shërbime elektronike në një vend. Që nga drejtimi i Ministrisë së Shëndetësisë, të gjithë punëtorëve shëndetësorë ua kemi rritur pagat për 3000 denarë, ndërsa kujdestarinë e kemi rritur për 162 për qind”, tha Taravari.
Ai theksoi se ka pasur shumë premtime për integrimin evropian të vendit, por shumë janë gënjyer.
“Pritet që të bëjmë ndryshimet kushtetuese sa më shpejt që të integrohemi. Por situata ka ndryshuar me ndërhyrjen e Rusisë në Ukrainë dhe shfaqjen e qëndrimeve pro-ruse në fqinjësi. Ka mundësi që edhe në vendin tonë të mbizotërojnë qëndrimet pro-ruse. Europa është shtëpia jonë e vetme, ajo na pret. Prandaj demokracia jonë duhet të kapërcejë sfidat dhe të mos lejojë që kundërshtarët në perëndim të na bllokojnë”, deklaroi Taravari.
Kreu i Aleancës për Shqiptarët tha se në të ardhmen, në vend të temave që përçajnë, fokusi duhet të jetë tek ato që bashkojnë. Lidhur me heqjen e 20%, Taravari tha se pret mbështetje edhe nga maqedonasit.
“Kjo është edhe kërkesa jonë për gjuhën shqipe në Kushtetutë. Presim që të mbështetet unanimisht”, theksoi Taravari.
Sipas tij, të gjitha vendimet e politikanëve në vend duhet të merren duke marrë parasysh nevojat dhe kërkesat e të rinjve sepse siç tha ai, ata janë e ardhmja jonë.
“Nëse si politikanë vazhdojmë të mendojmë vetëm për zgjedhjet e ardhshme, do të jemi përgjegjës për eksodin e të rinjve. Është koha për të vepruar si shtetarë”, tha Taravari.
I pyetur për pritjet për procesin e ndryshimeve kushtetuese në Kuvend, ai tha se pret që të jenë 80 deputetë që do t’i mbështesin amendamentet dhe shtoi se kanë kontakte me të gjitha partitë, por jo edhe me disa deputetë individualë të VMRO-DPMNE-së.
“Nëse nuk miratohen amendamentet kushtetuese dhe lihet Shqipëria të ndahet dhe të vazhdojë negociatat e vetme, ne do të hyjmë në izolim si në vitin 2008 dhe atëherë do të duhet të bëjmë lëshime më të vështira për të vazhduar procesin e integrimit europian, siç ishte rasti. me emrin për të hyrë në NATO”, tha Taravari.(INA)