Në kafenenë time më nuk do të flitet për politikë

INA
INA

16/04/2024

Shkruan : Sermet Suljemani

Tregim satirik

Kalova javë të tëra duke u sorollatur nëpër spitale për hallet me shëndetin tim, rreth të flamosurës pandemi, e s’po dija gjë ç’po ndodhte me politikën në pashallëkun tonë.

Sapo u zgjova, meqë po më ecte puna ters, pa pirë kafenë e mëngjesit, zbrita poshtë pallatit tim në kafenë time ”Mos ma prek hundën”, dhe si zakonisht pa futur një kaçore buke në gojë, u ula në një tavolinë bashkë me pronarin e kafenesë dhe e pyeta pa teklif si rëndom ‘’ç’kemi?’’, kur papritmas të gjithë vizitorët e pranishëm, ku shumica e tyre ishin opozitarë të thekur, buzëvarur drejtuan shikimin e tyre tek unë sikur të kishte ndodhur hataja, njëzëri m’u përgjigjën ‘’ka ngjarë gjëma, mik, po…lëre mos e zgjat!’’

Më mbeti pështyma në fyt dhe s’dija si të veproja, ula kokën mbi filxhan si zog pule dhe llapja kafenë me gërrhamë. Pas gllënjkës së parë të kafesë, pronari i kafenesë, një mik i im i hershëm, m’u afrua:

– S’ke dëgjuar gjë?
– Jo. Ç’ka paska bërë vaki? – iu përgjigja i habitur.
Në ndërkohë Muja, djali i pronarit murmuriti:
– Në kafenenë tonë s’lejohen më debate politike!
– Ouu! E përse? Më parë këtu gëlonin lajmet nga tëra anët, tani u dashka shikuar lajmet e rrejshme nga televizionet…
– Ka një muaj që kemi vendosur që në kafenenë time të mos flitet më për politikë, – ma ktheu me një ton të ulët.
– Po përse flisni me zë të ulët? – e pyeta pronarin.
Duke u afruar drejt meje, më përshpëriti në vesh:

– Eh, miku im, deri sa ti lëngoje nga Covidi, këtu kanë ngjarë shumë gjëra. Epo, ai miku jot, Hashep Gazepi i partisë tënde nga kafeneja jonë, një javë më parë desh u vra me Asdrenin e kafenesë përballë, vetëm e vetëm për këtë të mallkuar politikë. Lëre këtë, po pas asaj ngjarje të shëmtuar, sapo ikën ata, erdhën edhe fëmitë e tyre, u kapën për flokë e ku jo e s’kishte njeri që t’i ndante, deri sa erdhi policia e zhagas i zvarriti deri ke stacioni i policisë… Nga ajo ditë, miku im i dashur, s’guxon më kush ta përmend shkronjën ‘’p’’, e lëre më ta shqiptojë atë të mallkuar fjalë deri në fund…
– Si, as lajme në televizion nuk shikoni?

– Shëët! Lëre këtë muhabet se po plas përsëri belaja!
Më vonë, kur shumica e klientëve dolën nga kafeneja, pronari m’u drejtua:
– E si t’ua lejoj debatin politik kur javën e kaluar desh m’i thyen të gjitha gotat dhe filxhanet e kafesë, vetëm e vetëm pse Hashepi yt tha se filan politikani i njërës parti paska thënë se kundërshtari tij po mbajka unaza të shtrenjta prej sërmi. Kurse Cufë Kokëmushka u nxeh kaq shumë sa mori fixhanin e kafesë e ia përplasi suratit dhe e bëri qullë. Sakaq ai i qullosuri, miku jot Hashepi mori karrigen dhe e qëlloi mu në kupë të kresë sa gjaku i shkonte curil Kokëmushkës… Mos qenë gratë e fshatit, kafenesë sime, do t’i mbeteshin vetëm muret.
– Pas kësaj… ç’ndodhi?

– A, po. Një javë të tërë e mbylla lokalin dhe ika në Bellanoc.
Hëm, tërë javën dyja palët më luteshin që të kthehesha e betoheshin se më në të dyja kafenetë, jo vetëm që s’do flisnin për politikë, por as s’do shqiptonin asnjë fjalë që do të fillonte me shkronjën ‘’P’’…
Sapo shkela pragun e derës, para lokalit po më prisnin nja njëzetë a tridhjetë gra e të dyja palëve që kishin vendosur që për inatë të burrave të tyre të politizuar të ndërronin partitë.

– Si?
– Thjeshtë: ato gra që burrat e tyre i kishin pasur në partinë në pushtet, të kalonin në opozitë dhe e kundërta…
Teksa e dëgjoja, matanë rrugës, tek lokali tjetër, ishin mbledhur burrat me sy të shqepur këtej e që po prisnin ç’po ndodhte me gratë e revoltuara dhe situatën e pazakontë që qe krijuar. Kur morën vesh që gratë e tyre u kishin kaluar në taborin e ”armiqëve” të tyre, ulën kokat dhe s’di ku vajtën, por mora vesh që me javë të tëra s’kishin fjetur bashkë me ta. Nga ajo kohë, miku im, në fshatin tonë mbizotëron paqja.
– Po si e zgjidhën problemin e përdorimit të fjalëve që fillojnë me shkronjën ”p”?
– A, po. Fare thjeshtë; asaj fjale iu heq shkronja e parë ”p” dhe shqiptohej pa të…

TË FUNDIT

ME TE LEXUARA

LEXO MË SHUMË

librat-780x439

Sot Dita Ndërkombëtare e Librit

lindita ahmeti

ITSHKSH përkujtoi studiuesen Lindita Ahmeti

mira murati

Mira Murati bëhet zyrtarisht pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

IMG_1365

VIDEO/ Ministrja serbe e Kulturës lëshon sallën pasi Kosova merr çmim në Biennalen e Venedikut

karnavalet ilire bozovc

Karnavalet Ilire në Bozovcë të Tetovës. Mehmedi: Të kujtojmë të kaluarën dhe traditën e këtij karnevali

filmi-Dita-e-Gruas-Musa-Ismail

Filmi “Biznesi i kënaqësisë” fitoi çmimin e filmit më të mirë artistik në “Riverside Film Festival” në Kaliforni të SHBA-ve

komedi kushtrim qerimi avni shkodra sopi

Një Stand Up Comedy e veçantë në Kumanovë (Foto)

sermet sulejmani

Në kafenenë time më nuk do të flitet për politikë

shkolle klase

Për një vit u mbyllën 14 shkolla në Maqedoninë e Veriut

INFO

NA NDIQ