Zoran Zaevi sot largohet, ndërsa Dimitar Kovaçevski do të ulet në karrigen e kryeministrit.
Qeveria njoftoi se sot me fillim nga ora 09:00 do të bëhet dorëzimi i funksionit dhe i kabinetit mes kryeministrit aktual Zoran Zaev dhe kryeministrit të sapozgjedhur,Kovaçevski.
Qeveria e re u zgjodh mbrëmë vonë në Kuvend, ndërsa Kovaçevski tha se legjitimiteti i saj është i padiskutueshëm dhe me mbështetjen e shtuar të mazhorancës do të vijok të qeverisë edhe në dy vjet e gjysmë deri në fund të mandatit.
“Unë konfirmoj qartë dhe me zë të lartë se zgjedhje do të ketë, por në vitin 2024. Deri atëherë do të punojmë të përkushtuar për përmirësimin e ekonomisë dhe cilësisë së jetës së qytetarëve të vendit. Fillojmë punën menjëherë. Tashmë në seancën e parë të Qeverisë po fillojmë të sjellim zgjidhje për krizën energjetike”, theksoi Kovaçevski.
Ai paralajmëroi për sot takimin me ministrin e ri gjerman për Evropën, me të cilin do të bisedoj për përshpejtimin e integrimit evropian. “Të martën, për kënaqësinë time të madhe, do të pres kryeministrin e ri bullgar Kiril Petkov, me të cilin dëshirojmë të krijojmë një bashkëpunim të ri bazuar në respektimin, mbështetjen dhe ruajtjen e identitetit maqedonas”, tha Kovaçevski.
Ai bëri të ditur se Qeveria menjëherë do të vazhdojë me vendimet për rritjen e pensioneve dhe mbështetjen e fuqisë blerëse të qytetarëve. Ne do t’i përkushtohemi, shtoi ai, realizimit dhe stimulimit efikas të kapitalit publik vendas dhe investimeve private vendase dhe të huaja. Kovaçevski theksoi se secili ministër në departamentin e tij dhe e gjithë Qeveria ka plan të qartë dhe preciz për realizimin e programit të dorëzuar me afate dhe indikatorë për monitorimin e realizimit dhe efekteve.
“E kam paralajmëruar dhe ofruar pjesëmarrjen dhe edhe një herë i bëj thirrje gjithë opozitës që të punojmë së bashku për çështjet kyçe. Qytetarët tanë janë të bashkuar në kërkesat për një jetë më të mirë. Ne do të punojmë vetëm për këtë dhe ju kërkojmë të gjithëve që të bashkoheni me ne për të realizuar këtë qëllim. “Ndaloni ndarjet politike, etnike dhe të gjitha ndarjet e tjera dhe punoni së bashku për të zgjidhur çështjet kryesore,” tha Kovacevski.
Ai kërkoi që të lihen mënjanë interesat personale dhe të ngushta partiake, sepse, siç theksoi, tani më shumë se kurrë duhet të bashkëpunojmë në interes të qytetarëve.(INA)