Pse serbët etnikë sulmuan paqeruajtësit e NATO-s në Kosovë?

INA
INA

31/05/2023

Shkruan: Christian Edwards

Dhjetëra paqeruajtës të NATO-s u plagosën pasi u sulmuan nga serbët etnikë në veri të Kosovës, gjatë protestave për vendosjen e kryebashkiakëve etnikisht shqiptarë.

Dhuna shpërtheu pasi demonstruesit serbë u përpoqën të bllokonin kryetarët e sapozgjedhur të komunave nga marrja e detyrës në qytetin verior të Zveçanit të hënën, pas zgjedhjeve të diskutueshme në prill.

Ndërsa kjo lloj dhune kundër paqeruajtësve është e rrallë, tensionet janë rritur në rajon muajt e fundit, të nxitura nga përçarje të thella historike.

Ja çfarë duhet të dini

Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, pas luftës së viteve 1998-99, në të cilën shqiptarët e Kosovës u përpoqën të shkëputeshin nga ajo që atëherë ishte Republika Federale e Jugosllavisë, e përbërë nga Serbia dhe Mali i Zi i sotëm. NATO ndërhyri në luftë për të mbrojtur shumicën shqiptare të Kosovës.

Serbia e sheh Kosovën si një vend të shkëputur dhe nuk e njeh pavarësinë e saj. Serbët e Kosovës e shohin veten si pjesë e Serbisë dhe e shohin Beogradin si kryeqytetin e tyre, në vend të Prishtinës.

Shumica e serbëve të Kosovës – më pak se një e dhjeta e popullsisë së përgjithshme – jetojnë në rajonet veriore dhe kanë kërkuar gjithnjë e më shumë autonomi më të madhe nga shumica etnike shqiptare.

Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 e ndërmjetësuar nga BE-ja u përpoq të normalizonte marrëdhëniet midis dy vendeve. Sipas kësaj marrëveshjeje, Serbia mund të krijojë komuna autonome në rajonin verior, por këto do të duhet të funksionojnë sipas sistemit ligjor kosovar, me policinë kosovare që të mbetet e vetmja forcë policore.

Më shumë se një dekadë më vonë, këto komuna nuk janë krijuar, duke i lënë të acarohen mosmarrëveshjet mbi shkallën e autonomisë për serbët e Kosovës.

Edhe detajet në dukje të vogla mund të shkaktojnë shpërthime të mëdha. Për vite me radhë, Kosova ka dashur që serbët t’i ndërrojnë targat e veturave serbe në ato të Prishtinës. Vitin e kaluar, qeveria e Kosovës njoftoi një periudhë dymujore në të cilën targat duhej të ndërroheshin – por e shtyu datën prapa pas protestave.

Kryetarët serbë etnikë në komunat veriore, së bashku me gjykatësit vendas dhe rreth 600 oficerë policie, dhanë dorëheqjen në nëntor në shenjë proteste kundër ndryshimit të afërt, sipas Reuters.

Çfarë e shkaktoi dhunën e re?

Në mars, të dy vendet nënshkruan një marrëveshje të re në Ohër të Maqedonisë së Veriut, duke synuar sërish normalizimin e marrëdhënieve. Por, kjo u pasua nga zgjedhjet e diskutueshme lokale në katër komuna të veriut të Kosovës.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, u bëri thirrje serbëve etnikë në rajon që të bojkotojnë zgjedhjet, duke thënë se ata nuk duhet të tolerojnë më një “pushtim” të huaj.

Lista Serbe, i bëri thirrje komunitetit serb që të mos votojnë në zgjedhje dhe kandidatëve të saj të mos kandidojnë – duke i lënë kandidatët etnikisht shqiptarë të garojnë të pakundërshtueshëm.

Nga frika e dhunës së mundshme, Komisioni Qendror Zgjedhor i Kosovës ndryshoi planet për vendosjen e kabinave të votimit në shkollat lokale, në vend të kësaj duke ngritur kasolle të lëvizshme të patrulluara nga paqeruajtësit e NATO-s.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se kishte pasur një “fushatë kërcënuese të orkestruar nga Beogradi dhe të ekzekutuar përmes frikësimit, presionit dhe shantazhit nga grupet kriminale”.

Pas mbylljes së qendrave të votimit, zyrtarët zgjedhorë thanë se vetëm rreth 1,567 kishin votuar në të katër komunat – një pjesëmarrje prej 3.5%, sipas mediave lokale.

Pjesëmarrja e zvogëluar ishte një shenjë e suksesit të bojkotit në këto rajone me shumicë serbe. Komuna e Zveçanit ka rreth 16,800 banorë. Prej tyre, më shumë se 16,000 janë serbë etnikë – me vetëm rreth 500 shqiptarë etnikë.

Kryetari i sapozgjedhur shqiptar në Zveçan fitoi me pothuajse 100 vota, duke shkaktuar thirrje se autoriteti i tij është i paligjshëm.

Çfarë ndodhi të hënën?

Protestuesit etnikë serbë hodhën kokteje molotovi mbi trupat e Forcave të NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe përdorën shkopinj për të rrahur mburojat e tyre, ndërsa paqeruajtësit mbronin zyrën komunale në Zveçan.

KFOR tha se 30 prej paqeruajtësve të tij – kryesisht nga kontingjentet e tij italiane dhe hungareze – u plagosën.

Ushtarët pësuan “thyerje dhe djegie nga mjetet ndezëse shpërthyese të improvizuara”, ndërsa tre prej tyre u “plaguan nga përdorimi i armëve të zjarrit”, sipas KFOR-it.

Misioni paqeruajtës tha se kishte rritur praninë e tij në veri të Kosovës pasi kryebashkiakët e sapozgjedhur etnikisht shqiptarë morën detyrën në zonat me shumicë serbe të Kosovës. Qëllimi i tij ishte të “zvogëlonte rrezikun e përshkallëzimit”, tha KFOR-i, por trupat “më pas u sulmuan nga turma gjithnjë e më agresive”.

Kurti dënoi “sulmet e egra” ndaj paqeruajtësve. ”Në një demokraci nuk ka vend për dhunë fashiste – asnjë thirrje nga fleta në plumb”, shkroi ai në twitter të hënën.

Në një deklaratë, kryeministrja serbe Ana Bërnabiq, tha se situata në veri të Kosovës ”nuk ka qenë kurrë më e vështirë”.

Cili ka qenë reagimi?

Udhëheqësit evropianë ishin të shpejtë për të dënuar dhunën. Josep Borrell, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, tha se ka pasur kontakte me Kurtin dhe Vuçiqin dhe kërkoi “të dyja palët të marrin urgjentisht masa për të de-përshkallëzuar tensionet menjëherë dhe pa kushte”.

Duke folur në një konferencë për shtyp të martën në Bruksel, Borrell tha se BE-ja “dënon në termat më të ashpër dhunën në veri të Kosovës që kemi parë në ditët e fundit”.

Ministria e Jashtme e Francës lëshoi një deklaratë ku pretendonte se “është më thelbësore se kurrë që Prishtina dhe Beogradi, të tregojnë përgjegjësi duke u kthyer në tryezën e bisedimeve me një qëndrim kompromisi në shërbim të paqes dhe prosperitetit të qytetarëve serbë dhe kosovarë”.

Ndërsa liderët evropianë përpiqen të vendosin një ekuilibër të kujdesshëm midis dy shteteve, vendet e tjera kanë dalë në mbrojtje të Serbisë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Mao Ning tha të martën: “Ne mbështesim përpjekjet e Serbisë për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial” dhe i bëri thirrje Prishtinës që të krijojë komuna me shumicë serbe.

Çfarë ndodh më pas?

NATO po dërgon forca shtesë në Kosovë pas përleshjeve të së hënës, sipas një deklarate të martën.

Kryeministri i Kosovës, [Albin] Kurti i tha CNN-it, të martën, se ai nuk do t’ia dorëzonte vendin asaj që ai e përshkroi si “milici fashiste”.

I pyetur nga CNN nëse qeveria e tij planifikon t’i dëgjojë thirrjet për tërheqjen e policëve kosovarë nga komunat veriore të vendit ndërsa tensionet rriten, Kurti tha: “Përderisa ka një turmë të dhunshme jashtë ndërtesës, unë nuk mund të kem vetëm pak policë. Më duhet të kem polici që do të mbrojë sundimin e ligjit, që do të mbajë rendin, qetësinë dhe sigurinë dhe komuna duhet të jetë për të gjithë.”

Dhuna në Kosovë vjen në një moment të pasigurt politik në Beograd. Serbia u trondit në fillim të këtij muaji pasi dy të shtëna masive vranë dhjetëra njerëz, kryesisht fëmijë.

Por ajo që filloi si vigjilje me qirinj për të vrarët u shpërtheu në protesta të plota kundër qeverisë së Vuçiqit dhe “kulturës së dhunës” mbi të cilën ajo ka mbizotëruar.

“Kurrë nuk e kam parë (Vuçiçin) kaq nervoz,” tha Bosko Jaksiq, një komentator i Politikës së Jashtme në Beograd. “Menaxhimi i tij i krizës nuk po funksionon.”

Megjithatë, kriza në Kosovë mund t’i sigurojë Vuçiqit, i cili shpesh e ka përdorur nacionalizmin serb si një thirrje për përkrahësit e tij, një lehtësim të mirëpritur.

Ndërsa rrugët e Beogradit kohët e fundit janë vërshuar nga ata që protestojnë kundër “kulturës së dhunës” së Serbisë, demonstruesit nacionalistë serbë dolën në rrugë të martën për të protestuar jashtë ambasadave franceze dhe gjermane, ndërsa mbështetësit e Vuçiqit e kthyen zemërimin e tyre ndaj promotorëve evropianë të Pavarësisë së Kosovës.

Në komentet e së martës, Vuçiq ngjalli frikën se dhuna në Kosovë mund të përbëjë kërcënim për serbët etnikë në rajon, duke thënë se Serbia ka “shqetësim për mbijetesën dhe sigurinë e serbëve në Kosovë”.

“Kosova po e ndihmon atë”, tha Jakshiq. “Ai po e ndërton staturën e tij patriotike në Kosovë. Ai është një mbrojtës i madh i çështjes serbe. Ai është shpëtimtari i popullit serb… E gjithë ajo retorikë që e kemi dëgjuar disa herë më parë po përdoret përsëri. Dhe ka shumë njerëz që po e blejnë atë.”

*Autori është gazetar me bazë në Mbretërinë e Bashkuar aktualisht në CNN International në Londër. I diplomuar në Oxford dhe LSE.

Përkthyer nga klankosova.tv

TË FUNDIT

ME TE LEXUARA

LEXO MË SHUMË

vucic okb

Pse u “çakordua” Presidenti Aleksandër Vuçiq në OKB?!

azbi-nuredini

VLEN do të jetë gardian i mbrojtjes së interesave të shqiptarëve në qeverinë e re!

KALOSH-CELIKU

BETEJA POLITIKE E 8 MAJIT

Arben taravari bujar osmani

Mori fund loja me president shqiptar!

Emin Azemi

Pse shqiptarët duhet t’a bojkotojnë rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale?

muhamer pajaziti

Kush do të votoj nesër?

shpendim oxha

Sistemi zgjedhor në RMV të plotësohet me lista të hapura dhe votim për kandidatin e preferuar

fatos-rushiti

Një manipulim i ligë i radhës me kategoritë e luftës së UÇK-së

mero-baze

Kukullat e Vuçiqit, Kukullat e Albinit dhe Shqipërim Arifi

INFO

NA NDIQ