Turizmi 2024, “frika” e një rekordi të ri

ina-online
ina-online

16/03/2024

huazuar nga Monitor.al

Mesatarisht në fund të shkurtit, çdo 24 minuta në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës ulej një avion. Sigurisht jo të gjithë ata që vijnë përmes këtij aeroporti janë turistë, por një numër i konsiderueshëm po. Janë të huaj që për një arsye apo një tjetër kanë zgjedhur Shqipërinë edhe në muajt e dimrit.

Ky vit po vijon jehonën që la pas viti 2023 dhe po jep sinjale të qarta se do të jetë një vit i mirë turistik. Sot, askush nuk po vë në dyshim se do të kemi një rekord të ri në numër vizitorësh, por pika ku ndahen palët është: sa më shumë të huaj do të vijnë?

Shifrat e lëvizjes së shtetasve të janarit treguan se në raport me janar 2023, rritja ishte me rreth 30%. Ka nga ata që presin që kjo të jetë tendenca e rritjes për gjithë 2024, ku një numër të përafërt e kanë dhënë edhe kontratat me garanci, të cilat janë rritur me 30-40% në raport me vitin e shkuar.

Ka të tjerë që presin që kjo rritje më e fortë në muajt e dimrit dhe pranverës të jetë disi më e zbutur në muajt e verës, edhe për shkak të ezaurimit të kapaciteteve në dispozicion.

Shqipëria po mbetet sërish në titujt e mediave ndërkombëtare që e promovojnë si destinacion turistik për t’u mbajtur parasysh dhe me shumë gjasa, teksa të huajt po bëjnë gati valixhet, operatorët e sektorit dhe gjithë industritë mbështetëse po përveshin mëngët.

Ky sezon nuk pritet të jetë i lehtë. Flukset e para turistike me shifra të konsiderueshme pritet të nisin më herët këtë vit, ndërsa mënyra sesi do të përballohet kjo kur fuqia punëtore mbetet Thembra e Akilit përbën sfidën më e madhe.

Paketat e Shqipërisë shiten 60% që në shkurt, dominojnë polakët

Turizmi i organizuar, edhe pse një fraksion i vogël i turizmit total, mbetet pjesa më e qëndrueshme e sektorit në vend. Operatorët turistikë pohojnë se interesi për Shqipërinë vijon të mbetet i lartë nga tregjet europiane, pavarësisht se pati një rritje deri në 35% të çmimit të paketave si efekt i rritjes së kostove.

Rrahman Kasa, kryetar i Unionit Turistik Shqiptar dhe njëkohësisht administrator i “Happy Tours” shprehet se deri në shkurt, 60% e paketave të parablera përmes kontratave me garanci ishin shitur nga agjencitë e huaja, diçka që garanton se deri në fillim të sezonit,

Shqipëria mund të jetë shitur plotësisht. “Deri më tani, sipas asaj që na kanë raportuar, rezulton që 60% e kapacitetit që është kontraktuar për Shqipërinë si kontrata garancie është shitur.

Pjesa tjetër mendoj se ka ende kohë që të shitet dhe këto janë sinjale pozitive për sezonin.

Mendoj se Shqipëria është favorizuar në këtë rast nga fakti që është bërë një destinacion viral në rrjete sociale dhe në promovimin e mediave ndërkombëtare, ndërkohë që edhe vendet konkurrente në rajonin tonë kanë rritur gjithashtu çmimet, duke e bërë Shqipërinë sërish një alternativë konkurruese”, – pohon Rrahman Kasa, kryetar i Unionit Turistik Shqiptar.

Në krye të rezervimeve me kontratat e garancisë vijojnë të mbeten polakët. Këta të fundit shënuan në total një rritje me 39% për vitin 2023 në raport me vitin paraardhës, duke qëndruar në nivelin 232 mijë vizitorë por duhet të theksojmë se përveç turistëve të organizuar në këtë grup ka edhe turistë individualë.

“Tregjet kryesore të turistëve të organizuar vijojnë të mbeten ato që ishin vitin e kaluar, ku kryesojnë polakët dhe më pas vijnë çekët, sllovakët, hungarezët. Ka numra të shtuar nga tregu baltik”, shprehet z. Kasa duke nënvizuar se shumica mbeten të fokusuar në Golem.

Në lidhje me Jugun e vendit, tur-operatori Arben Çipa nga “SIPA Tours” nënvizon se po shihet se kanë një interes të lartë dhe ndoshta për Sarandën mund të kthehen në grupin e dytë të rëndësishëm për turizmin e organizuar.

Saranda “heq dorë” nga turizmi i organizuar, preferon rezervimet online

Kur turizmi i organizuar po plotëson afërsisht një dekadë në vendin tonë me dy oazet e para që nisën ta aplikonin këtë, Golemi dhe Saranda, duket se i pari ka forcuar këtë tendencë, ndërsa e dyta po shkon drejt një profili të ri.

Dikur falë afërsisë me Aeroportin e Korfuzit, agjencitë që sillnin polakët dhe nordikë e shihnin Sarandën si një nga alternativat të përshtatshme me oferta konkurruese. Tani që Shqipëria po përjeton bumin e saj turistik duket se nuk është më vetëm në dorën e agjencive për ta zgjedhur Sarandën si treg.

Kjo e fundit ka kaluar në “luksin” e përzgjedhjes së turistit që kërkon dhe turizmi i organizuar nuk është një prej të preferuarve. Duke nisur nga viti i kaluar dhe me një tendencë të theksuar këtë vit, hotelierët e strukturave akomoduese po i kushtojnë vëmendje menaxhimit të platformave të rezervimit online.

Kjo duket se u shkon më për shtat si për sa i takon profilit që kanë strukturat që janë mesatare dhe të vogla, por edhe shitjes me çmimet dëshiruara që nuk vendosen në bllok të negociuara siç veprohet me turizmin e organizuar.

“Saranda duket se këtë vit do të vijojë në mënyrë të plotë atë që nisi vitin e shkuar. ku ka një fokus nga strukturat hoteliere për rezervimet online, duke mos shfaqur kështu interes për grupe apo të organizuar.

Duhet të themi që këtu ndikon edhe kapaciteti dhe tipologjia e strukturave, që janë të vogla apo mesatare, dhe rezervimet online janë një formë e pëlqyeshme për të rritur shfrytëzimin e kapacitetit.

Tani jemi në fund të shkurtit dhe nga bisedat që kemi në mënyrë të vazhdueshme në këto struktura rezervimet luhaten mes 50-70% të kapacitetit për sezonin veror dhe mundësia për ta çuar këtë kapacitet të shfrytëzuar në 100% me çmimet që ata duan është e mirë”, pohon z. Çipa.

Turistët “e dimrit” në Tiranë, të parët në verë vijnë baltikët dhe polakët

Interesi i shtuar në Shqipërinë në dhjetor dhe në janar që janë muajt e dimrit nuk është një turizëm që përfshin gjithë Shqipërinë. Operatorët turistikë vlerësojnë se ky turizëm po favorizohet nga hyrja e linjave low cost dhe është i përqendruar në Tiranë.

“Në raport me vitin e kaluar, për këtë dimër mendoj se kemi 30-40% rritje. Duhet të theksojmë që kjo është një kategori e ndryshme turistësh.

Janë vizitorë të Tiranës dhe që i takojnë moshës së të mesme dhe moshës së tretë. Kryesisht mosha e tretë vjen përmes agjencive, mosha e mesme që janë çifte të pavarura dhe moshat e reja vijnë të vetorganizuar ose me agjenci turistike në grupe të mëdha” nënvizon z. Çipa.

Por kur pritet të kemi turistët e parë që vijnë për sezonin veror nëpërmjet kontratave me garanci.

Pritshmëria është që sezoni të ketë nisur në mes të majit.

“Të parët që nisin sezonin në vendin tonë janë turistët nga vendet baltike dhe polakët që ne i presim nga mesi i majit. Ajo që vëmë re këtë vit është një shtrirje më e gjerë e turizmit të organizuar ne Vlorë.

Kuptohet pjesa kryesore qëndron në Golem dhe Durrës por një rritje të kontratave me garanci në Vlorë dhe në Sarandë. Mundësitë për të zgjeruar turizmin e organizuar edhe në Velipojë apo Shëngjin janë të mira, por ajo që na kufizon është trafiku”, – shprehet z. Kasa nga Unioni Turistik Shqiptar.

Infrastruktura dhe forca punëtore, dy sfidat që vënë në presion sektorin

Ardhja e më shumë turistëve sigurisht që ka ndikim pozitiv në ekonomi nëpërmjet rritjes së konsumit dhe një serie efektesh zinxhir. Nga ana tjetër, shifrat rekord të vizitorëve sollën edhe situata të rënduara trafiku, që bllokohej me orë të tëra si dhe pamundësinë për të gjetur një vend të lirë në plazh.

Operatorët turistikë vlerësojnë se ndërhyrjet në infrastrukturë, që lehtësojnë qarkullimin në rrugët e zonave turistike, janë emergjente por aktualisht kanë marrë një konfirmim nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë se disa akse do të hapen para sezonit veror.

“Duhet të kemi parasysh që, përveç mjeteve që janë brenda vendit vitin e shkuar, kanë qarkulluar në Shqipëri 2.7 milionë targa të huaja. Këtë vit ky fluks mund të jetë edhe më i lartë dhe as nuk dua ta mendoj çfarë kaosi mund të ketë.

Ne kemi kërkuar që të ketë një përshpejtim të hapjes së disa akseve, ku bën pjesë Tuneli i Llogorasë, Thumanë-Kashar që të bëhet lidhja me Rinasin që gjeneron trafik të jashtëzakonshëm dhe mbetet arsyeja kryesore pse nuk është hapur Shëngjini për turizëm të organizuar.

Në Golem, nga ana tjetër, trafiku rëndohet goxha në sezon, por shpresojmë që ndoshta të hapet segmenti i dytë në krahun sipër paralel me rrugën dytësore në Golem, sipas logjikës së një drejtimi për të shfryrë trafikun që bëhet në këtë zonë.

Gjithsesi segmenti i rrugës dytësore do ndërhyrje në disa pika për t’u bërë i kalueshëm nga autobusët pasi në kushtet aktuale është vështirë”, nënvizon z. Kasa.

Një tjetër problematikë e kthyer në dhimbje koke për të gjithë bizneset, por sidomos i ndjeshëm për turizmin, është fuqia punëtore e kufizuar.

“Një prurje 10% më e lartë sa edhe e presim këtë vit mendoj se do të ushtrojë presion të theksuar mbi cilësinë e shërbimit që kurrsesi nuk e uroj por s’mund të mos e mendoj.

Nëse rritja do të jetë edhe më e lartë, pra 20%, nuk e di sesi do ta përballojmë, pasi elasticitetin maksimal të kapacitetit që kishim, e testuam në 2023 dhe ndoshta do të bëhet e papërballueshme. Në Sarandë dhe në Golem, vjet ishim në maksimum dhe aq mendoj se është ajo që mund të përballojmë me kushtet ku jemi.

Diferenca që shton presionin këtë vit është që presim më shumë turistë, kemi më shumë kapacitete, por më pak fuqi punëtore në dispozicion.

Një fluks i madh do të krijojë turistë të pakënaqur që edhe hapësira plazhi ndoshta do ta kenë vështirë t’i prekin, pasi ky problem u ngrit në masë edhe vjet”, – thekson z. Çipa.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

TË FUNDIT

ME TE LEXUARA

LEXO MË SHUMË

vucic okb

Pse u “çakordua” Presidenti Aleksandër Vuçiq në OKB?!

kuvendi-i-shqiperise

Opozita kërkon interpelancë në Kuvend për dokumentarin e medias italiane, reagon Rama

azbi-nuredini

VLEN do të jetë gardian i mbrojtjes së interesave të shqiptarëve në qeverinë e re!

KALOSH-CELIKU

BETEJA POLITIKE E 8 MAJIT

Arben taravari bujar osmani

Mori fund loja me president shqiptar!

Emin Azemi

Pse shqiptarët duhet t’a bojkotojnë rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale?

Spartak Ngjela

Paralajmërohet fundi i Vuçiqit/ Avokati shqiptar zbulon një detaj në përballje me presidenten Osmani!

muhamer pajaziti

Kush do të votoj nesër?

Aksidenti-600x360

Djali i deputetit shqiptar përplasë me makinë biznesmenin e njohur

INFO

NA NDIQ