U nda nga jeta trajneri legjendë kroat Qiro Bllazheviq

Trajneri legjendar i futbollit Miroslav Qiro Bllazheviq sot u nda nga jeta pas një beteje të gjatë dhe të vështirë me kancerin. Siç raportojnë mediat kroate, ai pas dy ditëve do të festonte ditëlindjen e tij të 88-të.

Bllazheviq në vitin 2011 për herë të parë u diagnostikua me kancer të prostatës, por ai e luftoi sëmundjen. Një vit më vonë, ai u operua për melanoma në fazën e hershme. Në shtator 2019, sëmundja e rëndë u rikthye sërish dhe fatkeqësisht këtë herë trajneri legjendar nuk doli fitues.

Bllazheviq ka lindur në vitin 1935 në Travnik, ku filloi karrierën e tij si lojtar.

Në karrierën profesionale si trajner fillimisht u bë trajner i Sionit të Zvicrës, ndërsa në vitin 1979 mori përsipër kombëtaren e Zvicrës. Ngritja e tij si trajner nisi në të njëjtin vit, kur kaloi te skuadra e Rijekës. Bllazheviq po ashtu ka qenë trajner i Prishtinës në periudhën më të suksesshme të klubit kosovar.

Në fund të sezonit iu bashkua Dinamos, me të cilën fitoi titullin kampion jugosllav në vitin 1982. Që nga viti 1994, ai drejtoi kombëtaren kroate, por pas disa viteve u tërhoq nga kjo detyrë, për shkak të problemeve shëndetësore.(INA)